Imam Abdurr-Rrahman bin el-Xhauzi el-Hanbeli
Burimi: Laftatul-Kebid fi Nasihatil-Veled, fq.17-18
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Dije se dituria i ngrit më të ulëtit. Ka pasur shumë dijetarë të cilët nuk ishin prej fiseve të njohura dhe nuk kishin pamje tërheqëse.
Imam ‘Ata bin Ebi Rebah ishte një skllav i zi dhe kishte pamje të shëmtuar. Një ditë erdhi tek ai Halifi i myslimanëve Sulejman bin Abdil-Malik me dy djemtë e tij. Ata u ulën pranë tij dhe e pyetën në lidhje me Haxhin. Imam ‘Ata iu përgjigj pyetjeve të tyre, ndërsa fytyrën e kishte kthyer në anën tjetër. Pastaj Halifja ju drejtua djemve të tij, duke iu thënë: “Çohuni dhe mos u bëni dembelë në kërkimin e dijes. Unë kurrë nuk do ta harroj se si u poshtëruam para këtij skllavi të zi.”
Imam Hasan el-Basri ka qenë skllav, Imam Ibn Sirin ishte skllav, Imam Makhul ishte skllav, e shumë e shumë të tjerë. Ata u nderuan për shkak të dijes dhe devotshmërisë që posedonin.
Biri im i dashur! Mundohu sa më shumë që ta mbrosh nderin tënd, duke mos iu dhënë pas kësaj bote e të poshtërohesh para njerëzve. Ji i kënaqur me atë që ke, do të bëhesh i ndershëm. Është thënë: “Ai që është i kënaqur me bukë dhe fasule, kurrë nuk do të skllavërohet nga dikush.”
Një beduin kaloi nëpër qytetin e Basrës dhe i pyeti njerëzit: “Kush është zotëria i këtij qyteti?” Iu përgjigjën: “Imam Hasan el-Basri.” Ai pyeti: “Si është bërë ai njeri zotëria i këtij vendi?” Iu përgjigjën: “Ai nuk ka nevojë për dynjallëkun e tyre (njerëzve), por ata kanë nevojë për dijen e tij.”
Biri im, babai im ka qenë njeri i pasur, mua më takuan nga pasuria e tij dy shtëpi dhe njëzetë dinarë (para të arit). Me këto para bleva shumë libra të dijes, ndërsa shtëpitë i shita dhe të gjitha paratë i shfrytëzova në kërkimin e dijes. Asnjëherë nuk jam poshtëruar pse nuk kam pasur pasuri, as nuk kam vepruar sikur disa të cilët kalojnë nga një vend në vendin tjetër duke u dhënë këshilla të tjerëve që të përfitojnë para, e as nuk kam kërkuar asnjëherë të më ndihmojë dikush, por jam mbështetur fortë në ajetin:
وَمَنْ يَتَّقِ اللهَ يَجْعَلْ لَهُ مَخْرَجًا * وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لا يَحْتَسِبُ
“Ai që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret.”