Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Namazi i personit të sëmurë ulur

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 68-69

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- ka thënë:

”Isha duke vuajtur nga hemorroidet dhe e pyeta të dërguarin e Allahut  në lidhje me to. Ai tha: ”Falu në këmbë. Nëse nuk mundesh, falu ulur. Nëse nuk mundesh ulur, duhet të falesh i shtrirë në krah.”1

Ai gjithashtu ka thënë:

”E pyeta atë ﷺ në lidhje me personin i cili falet ulur. Ai tha: ”Është më mirë që të falesh në këmbë. Ai që falë namazin ulur merr sa gjysma e shpërblimit të personit i cili falet në këmbë. Ai që falet i shtrirë [dhe në një transmetim tjetër ”i shtrirë në krahun e tij”] merr sa gjysma e shpërblimit të personit i cili falet ulur.”2

Këtu është për qëllim personi i sëmurë.

Enesi -radijAllahu anhu- ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek disa njerëz që falnin namazin ulur për shkak të sëmundjes. Ai ﷺ tha: ”Namazi i personit që falet ulur ka shpërblimin sa gjysma e personit që falet në këmbë.”3

Ai ﷺ e vizitoi një njeri të sëmurë dhe e pa atë duke u falur në një jastëk. Ai ia morri atë dhe e hodhi anash. Njeriu e mori një shkop për tu falur duke u mbështetur në të. Ai ia mori edhe atë dhe e hodhi, dhe i tha:

”Falu në tokë nëse mundesh. Nëse nuk mundesh, duhet të bësh lëvizjet me kokë dhe le të jetë sexhdja jote më poshtë se rukuja jote.”4


1 Bukhari, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

2 Bukhari, Ebu Daudi dhe Ahmedi. El-Khatabi ka thënë: ”Domethënia e hadithit të Imranit është i sëmuri që mund të durojë dhe kështu vazhdon të qëndroj në këmbë me vështirësi. Është e lejueshme për të që të ulet, por ai që falet ulur ka sa gjysma e shpërblimit të personit që falet në këmbë, kjo si inkurajim për të qëndruar në këmbë.”

Hafidh Ibn Haxheri ka thënë: ”Ky është një shpjegim të cilit i mbështetemi.” (Fet’h-ul-Bari (2/468).

3 Ahmedi dhe Ibn Maxheh me një zinxhir transmetimi i cili është autentik.

4 Tabarani, El-Bezar, Ibn-us-Simak në ”El-Hadith (2/67)” dhe Bejhaki me një zinxhir transmetimi i cili është autentik, gjë të cilën unë e kam sqaruar në librin ”Es-Sahihah (323)”.

Shpërndaje: