Shejkh Sulejman bin Selim er-Ruhejli
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=VjBw86Sc_DQ
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nuk do ta zgjasë më shumë përveç se dua të porosis të dy këta bashkëshortë të bekuar dhe të gjithë bashkëshortët:
Ata nga mesi i atyre të sapomartuarve dhe ata nga mesi i atyre që janë si unë; që janë martuar që një kohë të gjatë, dua t’i këshilloj ata me 3 këshilla të dobishme.
Këshilla e parë, është të ndërtojmë shtëpitë tona mbi fenë e Allahut -azze ue xhel-.
Betohem në Allahun, përsëri betohem në Allahun, bekimet nuk kanë zbritur kurrë, as mirësitë nuk kanë zbritur përveçse nëse shtëpitë që janë të ndërtuara mbi fenë e Allahut.
Që të bashkëpunojmë në shtëpitë tona në fenë e Allahut.
A nuk dëgjojmë dhe nuk kuptojmë thënien e profetit tonë, të dashurit tonë, imamit tonë, shembullit dhe kënaqësive të syve tanë Muhammedit, birit të Abdullahut ﷺ:
”Allahu e mëshiroftë burrin i cili zgjohet natën dhe fal namaz, pastaj e zgjon gruan e tij dhe falet edhe ajo, e nëse ajo refuzon, e spërkat me ujë në fytyrë! Allahu e mëshiroftë gruan e cila zgjohet natën dhe fal namaz, pastaj e zgjon burrin e saj dhe falet edhe ai, e nëse ai refuzon, e spërkat me ujë në fytyrë!”
Ebu Daudi (1307), Nesai (1610), Ibn Maxheh (1336), Ibn Khuzejmeh (2/1148), Ibn Hibani (6/2567), Hakimi (1/1164) dhe Ahmedi (2/250), Hakimi thotë se hadithi është i saktë dhe është sipas kushteve të Muslimit, imam Albani e konsideron hadithin të mirë në ”Sahih Ebi Daud (5/1181)”.
” Allahu e mëshiroftë burrin i cili zgjohet natën…”
Ky nuk është namazi farz.
”dhe fal namaz (nate)…”
Lutje nga profeti ﷺ.
Profeti ﷺ tha:
”Allahu e mëshiroftë atë…”
Kush nga ne nuk ka dëshirë që të përfshihet nga lutja e profetit ﷺ?
Profeti ﷺ u lut për çdo burrë, çdo bashkëshortë që Allahu ta mëshirojë atë nëse zgjohet natën dhe falet.
Namazi më i mirë pas 5 namazeve farze është namazi i natës.
Ai fal namaz nate dhe pastaj e zgjon gruan e tij, e zgjon atë që të falë një pjesë nga namazi i natës.
Nëse ajo zgjohet dhe falet, atëherë elhamdulilah.
Nëse ajo refuzon dhe dëshiron të fle, e spërkat me ujë në fytyrë, ai sjell ujë dhe e spërkat në fytyrën e saj në mënyrë që ajo të gjallërohet për t’i bërë ibadet Allahut.
Dhe: ”Allahu e mëshiroftë gruan e cila zgjohet natën dhe fal namaz…”
Profeti ﷺ u lutë për të.
“zgjohet natën fal namaz, pastaj e zgjon burrin e saj…”
Nëse ai zgjohet, atëherë elhamdulilah, dhe nëse nuk zgjohet, e spërkat në fytyrën e tij në mënyrë që ai të gjallërohet për t’i bërë ibadet Allahut.
Sa bukuri që është që të bashkëpunojmë në fenë e Allahut në shtëpitë tona.
Që burri ta kap për dore gruan e tij drejt xhenetit dhe që ajo ta kap për dore burrin e saj drejt xhenetit.
Ndërsa në lidhje me këshillën e dytë: të dashurit e mi për hir të Allahut, ajo është një këshillë madhështore të cilën shumica e neglizhojnë. Dhe ajo është që të kemi sjellje të bukura në shtëpitë tona.
Dhe që të sillemi në mënyrën më të mirë ndaj familjeve tona.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij…”
Transmeton Darimi (2/2260), Tirmidhi (3895) dhe Ibn Hibani (9/4177). Tirmidhi ka thënë se hadithi është i saktë, dhe po ashtu thotë edhe imam Albani në ”es-Sahihah (285) dhe (1174)”.
Profeti ﷺ na mësoi sjelljet e mira, por fatkeqësisht shumë nga njerëzit sot, kur ata braktisin shtëpitë dhe dalin në rrugë, nëse ata takojnë njerëzit ose shokët e tyre atëherë u shfaqin sjellje të mirë atyre.
Ata qeshin, buzëqeshin, kur të kthehet ndonjëri prej tyre në shtëpinë e tij dhe e mbyllë derën, ai bëhet luan që ulërin,ai bërtet këtu e godet atë, e fyen atë, e mallkon, derisa familja e tij dëshirojnë që ai të dalë nga shtëpia.
Ne nuk jemi mësuar kështu dhe kjo nuk është sjellje e muslimanit.
A nuk e di se profeti ﷺ e kishte zakon t’i shërbente familjes së tij në shtëpi?
Profeti ﷺ e kishte zakon t’i shfaqte sjelljen më të mirë Aishes, profeti e kishte zakon ta ndante me dhëmbë mishin nga eshtrat
Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë: e kishte zakon të merrte eshtrat me mish dhe ndante mishin nga eshtrat.
Çfarë bënte pastaj?
E kishte zakon t’ia jepte eshtrën me mish Aishes, kështu që Aishah të hante prej saj.
Nëse Aishah hante, ai e vendoste gojën e tij fisnike mu në vendin ku Aishah -radiAllahu anha- kishte ngrënë sepse ai e dinte se kjo do të fuste kënaqësi në zemrën e saj.
Dëgjojeni këtë histori të mahnitshme:
Një ditë profeti ﷺ doli me një ushtri. Sahabët ishin me të në këtë ekspeditë ushtarake dhe kjo ekspeditë kishte dalë për të luftuar, Aishah -radijAllahu anha- ishte me të.
Profeti ﷺ u tha sahabëve: ”Ecni përpara, ecni përpara.”
Ata ecën përpara.
Ndërsa ai mbeti pas tyre me Aishen -radijAllahu anha-.
Profeti ﷺ ishte mbi 50 vjeçar në këtë kohë, dhe ishte profeti i Allahut dhe lider i ushtrisë, megjithëkëtë, çfarë veproi?
Ai tha: ”Eja, që të garojë me ty në vrapim.”
Dhe garoi me të.
Ajo e mundi atë sepse ishte e lehtë në peshë dhe e re në moshë.
Pas disa viteve profeti ﷺ doli përsëri me një ushtri dhe Aishah ishte me të, dhe përsëri u tha sahabëve:
”Ecni përpara, ecni përpara.”
Kur ata ecën përpara, i tha Aishes: ”Eja, që të garojë me ty në vrapim.”
Ai garoi me të dhe e mundi atë -radijAllahu anha-.
Çfarë i tha asaj?
I tha: ”Kjo ishte për garimin e kaluar.”
Shikoje sjelljen e tij, mosha e tij nuk e ndaloi nga garimi, as të qenurit profet i Allahut, as të qenurit lider i ushtrisë nuk e ndaloi nga sjellja me gruan e tij në këtë mënyrë të bukur.
Cilësitë që shndërrojnë shtëpinë në butësi, mëshirë dhe dashuri. Shejtani kurrë nuk do të hyjë në këtë shtëpi.
Ndërsa në lidhje me këshillën e tretë, do ta përmbledhë atë:
E këshilloj çdo bashkëshort për sa i përket çështjeve të dynjasë që të justifikojnë njëri-tjetrin dhe secili prej tyre duhet të heqë dorë nga të drejtat e tyre kur bëhet fjalë për çështjen e dynjasë sepse në çështjet e dynjasë; gjithmonë do të ketë mangësi, duhet të ketë ndonjë mangësi, duhet të ketë ndonjë mangësi.
Ndërsa burri i mençur sillet me butësi ndaj gruas së tij dhe shikon të mirat e asaj në mënyrë që të harrojë lëshimet e saj.
Çfarë tha profeti ﷺ?
Profeti ﷺ tha:
”Të mos e urrejë besimtari besimtaren…”
Që do të thotë; burri nuk duhet të urrejë gruan e tij besimtare.
“nëse nuk pëlqen prej saj një cilësi, do t’i pëlqejë një cilësi tjetër.”
Transmeton Muslimi (1469).
Besimtari i mençur nëse sheh diçka në çështjet e dynjasë, jo në çështjet e fesë, i anashkalon ato.
Ai thotë: ”Ajo ka diçka tjetër që është e mirë, ajo ka diçka më të mirë se kjo.”
Dhe gruaja i bindet burrit vetëm në atë që është bindje ndaj Allahut sepse është transmetuar nga profeti ﷺ se ai ka thënë:
”Sikur të urdhëroja dikë t’i bëjë sexhde dikujt (përveç Allahut), do ta urdhëroja gruan që t’i bëjë sexhde burrit të saj për shkak të të drejtave të mëdha që ai ka mbi të.”
Transmeton Tabarani, hadithi është i saktë sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (3366)”.
Profeti ﷺ ia sqaroi gruas të drejtat e mëdha që burri i ka mbi të.
Prandaj gruaja nuk duhet t’i kushtojë rëndësi çështjeve të dynjasë dhe mangësitë që lidhen me të, por duhet të heq dorë nga disa prej të drejtave të saj për t’iu bindur burrit të saj përderisa ajo nuk është mosbindje ndaj Allahut.
Nëse shtëpitë themelohen mbi këto tre këshilla, atëherë, betohem në Allahun, se do të jeni të begatë në këtë jetë dhe kjo do të jetë shkak për fitore dhe sukses në ditën e ringjalljes.
Dhe shejtani do të mposhtet në përpjekjen për të mbjellë ndarje mes nesh.
E lus Allahun me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që t’i bëjë zemrat e burrave besimtarë që të sillen mirë me gratë besimtare!
O Allah, Zoti ynë, bashko çdo çift në mirësi, udhëzim dhe dashuri, dhe mos i lejo shejtanit që të depërtoj mes tyre.