Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu na ka nderuar me Librin e Tij, të cilin e bëri:
”Sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” 16:89
Shpjegimi
Allahu na ka nderuar ne me Librin e Tij madhështorë:
”Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” 41:42
Allahu (subhanehu ue te ala) e ka bërë atë që të jetë një sqarim për çdo gjë që i nevojitet njeriut në këtë jetë dhe në jetën e përtejme. Sqarimi i gjërave nga Kurani ndahet në dy lloje:
E para: Ai sqaron një çështje specifike. Shembull i kësaj janë fjalët e Allahut (tebarek ue te ala):
”Juve u janë ndaluar (t’i hani): bagëtitë e ngordhura (e të patherura), gjaku, mishi i derrit .” 5:3
Ai (te ala) gjithashtu ka thënë:
”Të ndaluara për ju (për martesë) janë: nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllaut tuaj, bijat e motrës suaj, nënat që ju kanë dhënë gji, motrat tuaja të qumështit (të ushqyera nga e njëjta nënë), nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat ju keni fjetur bashkë, ndërsa nëse nuk keni fjetur me to, atëherë nuk përbën aspak gjynah (për t’u martuar me bijat e tyre), dhe (u janë ndaluar) gratë e bijve tuaj të lindur prej jush, si edhe dy motra njëherësh, përveç çfarë ka kaluar tashmë. Vërtet Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë. (Të ndaluara janë për ju) gratë me kurorë tjetër, përveç atyre (robëreshave) që i keni nën pushtetin tuaj. Kështu ka urdhëruar Allahu për ju. Të gjitha të tjerat janë të ligjshme, me kusht që ju t’i kërkoni ato (për martesë) me mehr (dhuratën e martesës) nga pasuria juaj, duke dëshiruar dëlirësi, duke mos kryer marrëdhënie të paligjshme me to, kështu që atyre me të cilat keni shijuar marrëdhënie, jepuni mehrin e përshkruar e të detyruar. Por nëse pas pagesës së mehrit të caktuar, ju merreni vesh (për t’i dhënë më tepër) kjo nuk përbën gjynah për ju. Sigurisht, Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.” 4:23-24
E dyta: Sqarim që e bën si aluzion atë që është sqaruar. Shembuj të kësaj janë fjalët e Tij (te ala):
”Allahu të shpalli ty Librin (Kuranin) dhe urtësinë (sunnetin).” 4:113
Me anë të kësaj Allahu (te ala) jep të nënkuptohet për urtësinë e Sunnetit i cili e qartëson Kuranin. Një shembull tjetër janë fjalët e Tij (te ala):
”E nëse nuk dini, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.” 16:43
“E nëse nuk dini, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.” 21:7
Kjo na e sqaron se ne gjithmonë duhet t’u referohemi atyre që janë të specializuar në një çështje të caktuar. Njëri prej dijetarëve tregoi se një njeri nsrani (i krishterë) erdhi tek ai për ta fyer Kuranin fisnik. Njeriu nasrani ishte ulur në një restorant dhe i tha:
“Ku është sqarimi se si duhet të përgatitet ushqimi?” Pastaj dijetari e thirri pronarin e restorantit dhe i tha: “Na trego se si e përgatit këtë ushqim.” Pronari i restorantit ia përshkroi atyre se si. Pastaj dijetari tha: “Kështu është përmendur në Kuran.” Nasrani u habit dhe i tha: “Si kështu?” Dijetari i tha: “Allahu (azze ue xhel) thotë:
“E nëse nuk dini, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.” 21:7
Ai na ka treguar çelësin e dijes së gjërave duke i pyetur ata që kanë dije rreth tyre. Kjo natyrisht i përket sqarimit të Kuranit. Kështu konsiderohet çelësi i dijes konsiderohet të jetë referimi tek të diturit.”