Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 400-401
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Duhet besuar në ndërmjetësimin e profetit ﷺ dhe se disa njerëz dalin nga zjarri pasi janë djegur dhe janë bërë thëngjill. Ata do të dërgohen tek një lumë tek porta e xhenetit, siç është transmetuar. Kjo do të ndodhë sikurse Allahu dëshiron. Qëllimi është vetëm që të besosh në këtë dhe ta pohosh këtë.”
Shpjegimi
Ndërmjetësimi i profetit ﷺ është i vërtetuar. Ai do të ndodhë në vendin e tubimit në ditën e gjykimit kur frikësimi i njerëzve është shtuar edhe më shumë. Së pari, ata do të shkojnë tek Ademi, pastaj tek Nuhi, pastaj tek Ibrahimi, pastaj tek Musai dhe më në fund tek Isai. Të gjithë do të justifikojnë veten me arsyetimet e përmendura në hadith. Në fund çështja arrinë tek profeti ﷺ i cili do të thotë:
”Unë kam drejtë për të.”
Ai do të shkojë dhe do të bjerë në sexhde për një kohë të gjatë nën arshin e Allahut, ku do ta bëj hamd Allahun me hamde të cilat ai nuk i ka ditur në këtë jetë. Mu atëherë dhe aty Allahu e mëson atë. Atëherë do t’i thuhet atij ﷺ:
”Ngrite kokën. Kërko dhe të ipet ajo që kërkon, ndërmjetëso dhe do të përgjigjet lutja.” 1
Ai gjithashtu do të ndërmjetësojë për njerëzit që kanë grada më të ulëta në xhenet në mënyrë që atyre tu jepen grada më të lartë kështu që Allahu i lejon ata që të ngrihen në grada.
Ai gjithashtu do të ndërmjetësojë për njerëzit që meritojnë të hyjnë në xhehnem për shkak të mëkateve, në mënyrë që ata të shpëtojnë prej tij. Për këtë grup do të ndërmjetësojnë edhe profetët e tjerë, engjëjt dhe njerëzit e devotshëm. Për këtë ndërmjetësim dhe gjithashtu ndërmjetësime të tjera sikurse u tha kanë të drejtë edhe profetët e tjerë, njerëzit e devotshëm dhe engjëjt.
Hadithet lidhur me ndërmjetësimin janë të shumtë në numër dhe janë transmetuar nga shumë transmetues në çdo grupë. Një pjesë e madhe transmetohen nga Bukhari dhe Muslimi, dhe sidomos nga Muslimi. Një prej tyre është hadithi i njohur i Ebu Seidit ku profeti ﷺ ka thënë se Allahu (te ala) do të thotë:
”Nxirre nga zjarri atë që ka besim në zemër sa pesha e një monedhë e imtë e arit, pastaj atë që ka besim sa gjysmë monedhë e arit, pastaj atë që ka besim sa bërthama e hurmes, pastaj atë që ka besim sa pesha e një milingone, dhe pastaj ata që ka më pak, më pak dhe më pak se sa pesha e një milingone.” 2
Allahu (tebareke ue te ala) do të nxjerr pasuesit e teuhidit nga zjarri për shkak të besimit të tyre edhe pse besimi i tyre është sa pesha e milingonës, e cila është vërtetuar në hadithet autentike.
1 Bukhari (7510) dhe Muslimi (193).
2 Bukhari (7439) dhe Muslimi (183).