Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Përkufizimi gjuhësor i fjalës Islam është nënshtrim. Ndërsa përkufizimi fetar është nënshtrimi i robit ndaj Allahut si në veprat e tij të jashtme ashtu dhe në ato të brendshme (të fshehta) duke vepruar urdhëresat e Allahut dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Fjala Islam përfshin të gjithë fenë.
Allahu (te ala) ka thënë:
وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا
“Jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj.” 5:3
إِنَّ الدِّينَ عِنْدَ اللَّهِ الْإِسْلَامُ
“Vërtet feja e pranuar tek Allahu është vetëm Islami.” 3:19
وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الإِسْلاَمِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ
”Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në botën e pastajme ai do të jetë prej të humburve.” 3:85
Përkufizimi gjuhësor i imanit është besimi në vërtetësinë e lajmit (pranimi i lajmit si i vërtetë).
Allahu (te ala) ka thënë:
وَمَا أَنْتَ بِمُؤْمِنٍ لَنَا وَلَوْ كُنَّا صَادِقِينَ
“E ti ndoshta nuk na beson neve edhe pse ne flasim të vërtetën.” 12:17
Përkufizimi i tij fetar është pohimi (besimi) i zemrës që detyrimisht kërkon fjalë dhe vepër. Imani përbëhet nga besimi i zemrës, fjala e gjuhës dhe veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve. Argumenti që besimi përbëhet nga të gjithë këta komponentë janë fjalët e profetit ﷺ:
“Besimi (Imani) është që ti të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e fundit dhe caktimin (kaderin e Tij), të mirën e tij dhe të keqen e tij.” 1
“Besimi përbëhet nga më shumë se shtatëdhjetë degë. Më e larta prej tyre është fjala “La ilahe ilAllah” dhe më e ulëta është largimi i diçkaje të dëmshme nga rruga dhe turpi është gjithashtu një degë e besimit.” 2
Besimi në Allahun, engjëjt e Tij e kështu me radhë deri në fund i përkasin besimit të zemrës.
Shqiptimi i shahadetit i takon fjalës së gjuhës.
Heqja e gjërave të dëmshme nga rruga është pjesë e veprave të gjymtyrës.
Turpi i përket veprave të zemrës.
Me këtë që thamë imani përfshin gjithashtu gjithë fenë. Pra nuk ka dallim midis Islamit dhe imanit kur përmenden veçmas. Nëse ato përmenden së bashku, Islami shpjegohet me nënshtrimin e jashtëm që përfshin fjalën e gjuhës dhe veprat e gjymtyrëve. Ky Islam buron prej besimtarëve që kanë iman të plotë dhe besimtarëve që kanë besim të dobët.
Allahu (te ala) ka thënë:
قَالَتِ الْأَعْرَابُ آمَنَّا ۖ قُلْ لَمْ تُؤْمِنُوا وَلَٰكِنْ قُولُوا أَسْلَمْنَا وَلَمَّا يَدْخُلِ الْإِيمَانُ فِي قُلُوبِكُمْ ۖ وَإِنْ تُطِيعُوا اللَّهَ وَرَسُولَهُ لَا يَلِتْكُمْ مِنْ أَعْمَالِكُمْ شَيْئًا ۚ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ
Beduinët thanë: ”Ne kemi besuar!” Thuaj: ”Ju nuk keni besuar ende, por thoni: ’’Ne jemi nënshtruar (kemi hyrë në Islam)’’, ndërsa besimi (imani) nuk ka hyrë akoma në zemrat tuaja.” 49:14
I njëjti lloj i Islamit mund të vijë nga hipokritët. Megjithëse ai quhet “musliman” pasi ai së jashtmi shfaq Islamin, ai në të vërtetë është kafir në brendësinë e tij.
Imani shpjegohet si nënshtrim i së brendshmes së njeriut që përfshin besimin e zemrës dhe veprat e tijj dhe kjo nuk buron vetëm se nga një besimtar i vërtetë.
Allahu (te ala) ka thënë:
إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ اللَّهُ وَجِلَتْ قُلُوبُهُمْ وَإِذَا تُلِيَتْ عَلَيْهِمْ آيَاتُهُ زَادَتْهُمْ إِيمَانًا وَعَلَىٰ رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُون الَّذِينَ يُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنْفِقُونَ أُولَٰئِكَ هُمُ الْمُؤْمِنُونَ حَقًّاَ
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë.” 8:2-4
Në këtë rast imani është shkallë më e lartë. Kështu që çdo besimtar (mu’min) është musliman por e kundërta jo (jo çdo musliman është besimtar).
1 Bukhari (50) dhe Muslimi (9)
2 Bukhari (9) dhe Muslimi (35).