Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq. 86-87
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Përveç kësaj, fjalët e tij “Kjo do të thotë që veshja e jashtme duhet të vishet kur gruaja të dalë jashtë” nuk kanë kuptim. Gruaja duhet të mbulohet me veshje të jashtme në mënyrë që burrat e huaj të mos jenë në gjendje të shohin bukuritë e saj pavarësisht nëse ajo është jashtë apo brenda. Me fjalë të tjera, gruaja duhet të veshë rrobat e jashtme në çdo rast. Kjo mbështetet nga fjalët e Kajs bin Zejdit:
“I dërguari i Allahut ﷺ ishte ndarë nga Hafsah bintu Umer … Njëherë i dërguari i Allahut ﷺ shkoi në shtëpinë e saj dhe ajo u mbulua me veshje të jashtme. I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Xhibrili erdhi tek unë dhe tha: “Ktheje Hafsan përsëri. Ajo është një grua që agjëron gjatë ditëve dhe falet gjatë netëve dhe është gruaja jote në xhenet.” 1
1 Ibn Sa’d 8/58 dhe et-Tabarani në “el-Mu’xhem el-Kebir” (934/365/18) përmes Hamad bin Selemes i cili i tregoi se Ebu Imran el-Xhuni e kishte njoftuar atë. Të gjithë transmetuesit janë burra të besueshëm dhe transmetues të Muslimit. Sidoqoftë, ka mospajtim në lidhje me Kajs bin Zejdin se a ishte sahabi apo jo.
Ibn Abdul-Berr ka thënë: “Thuhet se hadithet e tij janë mursel dhe se ai vetë nuk ishte sahabi.”
Hafidh Ibn Haxheri tha në “el-Isabah”:
“Ai ishte tebiin i vogël, hadithet e tij janë mursel, ndërsa një grup prej dijetarëve dhe prej tyre el-Harith bin Ebi Usameh e përfshinë atë tek sahabët. Ibn Ebi Hatim dhe të tjerët e pasuan Bukharin dhe e përfshinë atë tek tabiinët.” Pra hadithi është mursel.
El-Hejthemi ka thënë: “Transmetuar nga et-Tabarani dhe transmetuesit e tij janë prej transmetuesve të sahihut.” (Mexhma-uz-Zaua’id 9/245)
Edhe el-Hakim (4/15) e transmetoi atë dhe gjithashtu përmendi një transmetim shtesë nga Enesi që e forcon atë in shaa Allah, por veshja e jashtme nuk përmendet këtu. Ibn Sa’id gjithashtu e transmetoi një version të shkurtuar me një zinxhir autentik transmetimi. Ibn Sa’id (8/63) gjithashtu transmetoi këtë që vijon përmes Habib bin Ebi Thabitit.
“Ummu Selemeh tha: “Pasi mbaroi koha e zisë pas vdekjes së Ebu Selemes, erdhi tek unë i dërguari i Allahut ﷺ. Kishte një perde mes nesh dhe ai më kërkoi që të martohem me të.”
Me sa duket perdja në këtë transmetim, i referohet murit ose një mbulese dhe jo veshjes së gruas. Ky është kuptimi i fjalëve të Allahut (te ala):
وَإِذَا سَأَلْتُمُوهُنَّ مَتَاعًا فَاسْأَلُوهُنَّ مِن وَرَاء حِجَابٍ ذَلِكُمْ أَطْهَرُ لِقُلُوبِكُمْ وَقُلُوبِهِنَّ
“Dhe kur ju i pyesni (gratë e tij) për ndonjë gjë që ju doni, i pyesni ato pas perdes. Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre.” 33:53
Është vërtetuar gjithashtu nga Aishah (radijAllahu anha) siç do të përmendet në fq. 135, që ajo falej në shtëpi me rrobat e jashtme (xhilbabin). Kështu që veshja e jashtme nuk është specifike vetëm për daljen jashtë shtëpisë.