Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

35.Por ju nuk mund të dëshironi pos nëse do Allahu

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 50-52

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

33 – Dëshira e Tij zbatohet. Robërit nuk mund të kenë dëshirë vetëm nëse atë e dëshiron Ai. Atë që Ai dëshiron u ndodh atyre. Atë që Ai nuk dëshiron nuk ndodh.

Shpjegimi

Allahu (subhanehu ue te ala) ka dëshirën dhe robërit kanë dëshirën. Megjithatë, dëshira e robërve është e lidhur me dëshirën e Allahut, dëshira e tyre nuk është e pavarur. Prandaj, Allahu (subhaneh) ka thënë:

وَمَا تَشَاؤُونَ إِلَّا أَن يَشَاء اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلِيمًا حَكِيمًا

 “Por ju nuk mund të dëshironi pos nëse do Allahu. Vërtet që Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.”1

وَمَا تَشَاؤُونَ إِلَّا أَن يَشَاء اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“E ju nuk do të dëshironi po të mos jetë se dëshiron Allahu – Zoti i alemin-it (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të, Zoti i njerëzve dhe i xhinëve).”2

Ai pohoi se edhe Ai dhe robërit e Tij kanë dëshirën dhe lidhi dëshirën e tyre me dëshirën e Tij. Këtë e refuzojnë Kaderitë dhe Xhebritë.

Kaderitë mohojnë dëshirën e Allahut në veprat e robërve dhe besojnë se robi vepron plotësisht në mënyrë të pavarur. Me fjalë të tjera, robi bën atë që dëshiron plotësisht i lirë dhe i pavarur. Kështu thonë Kaderitë nga mesi i Mutezilitëve dhe të tjerëve.

Xhebritë mohojnë dëshirën e robit dhe thonë se vetëm Allahu dëshiron. Ndërsa robi vepron pa zgjedhjen dhe dëshirën e tij, siç vepron mjeti. Pra njëri sekt ekzagjeroi kur pohoi dëshirën e Allahut dhe njëri sekt ekzagjeroi kur pohoi vetëm dëshirën e robit.

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati pohojnë të dy dëshirat dhe pohojnë se dëshira e robit është e lidhur me dëshirën e Allahut. Ata e argumentojnë besimin e tyre me fjalët e Allahut:

وَمَا تَشَاؤُونَ

“Por ju nuk mund të dëshironi.

Kjo pohon dëshirën e robërve:

إِلَّا أَن يَشَاء اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“Po të mos jetë se dëshiron Allahu – Zoti i Alemin-it (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithë ç’është në të, Zoti i njerëzve dhe i xhinëve).”

Kjo pohon dëshirën e Allahut (azze ue xhel). Ajeti gjithashtu dëshmon se dëshira e robërve është e ndërlidhur me Allahun dhe jo e pavarur. Sepse robi është krijesë e Allahut; Ai e ka krijuar robin dhe dëshirën e tij. Kur iu tha profetit : “Është sikurse Allahu dhe ti dëshiron”, ai tha:

”A më bëre të barabartë me Allahun? Thuaj: ”Ashtu siç dëshiron Allahu, i Vetmi.”3

Kjo do të thotë të barabartë në dëshirën e Allahut.

Kutejleh ka thënë:

”Një jehudi i tha profetit ﷺ: ”Ju bëni shirk, thoni: ”Ashtu siç dëshiron Allahu dhe ti.”

Dhe thoni:

“Betohem në qaben.”

Profeti ﷺ i urdhëroi sahabët të thonë:

“Pasha Zotin e qabes.”

Dhe:

“Ashtu siç dëshiron Allahu, pastaj ti.”4

Prandaj ai ndërlidhi dëshirën e tij me dëshirën e Allahut duke shtuar fjalën “pastaj”, që nënkupton renditje ndërsa fjala “dhe” nënkupton barazinë.


1 76:30

2 81:29

3 Ahmedi (1839), Bukhari në “el-Adab el-Mufrad” (783) dhe Tabarani (13005). Autentik sipas Albanit “es-Silsilah es-Sahihah” (139).

4 Nesai (3773) dhe Tabarani (7). Autentik sipas Albanit në “Silsilat-ul-Ahadadith es-Sahihah” (136).

Shpërndaje: