Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 405-407
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Besimi përbëhet prej fjalës dhe veprës, ai shtohet dhe mangësohet.” Thuhet në transmetimin:
”Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moralin më të lartë.” 1
Shpjegimi
Besimi përbëhet prej fjalës dhe veprës; fjalë e zemrës dhe e gjuhës, si dhe vepra e zemrës dhe gjymtyrëve të trupit. Ne gjithashtu mund të themi se besimi përbëhet nga fjala, vepra dhe bindja me zemër, dhe se ai shtohet me vepra të mira dhe mangësohet me mëkate. Ky është përkufizimi i besimit sipas Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit.
Edhe Khauarixhët besojnë se besimi përbëhet nga fjala, vepra dhe bidja. Megjithatë, ata besojnë se besimi as nuk shtohet e as nuk mangësohet. Kurdo që një musliman kryen një mëkat të madh ai del nga Islami, thonë ata.
E kundërta e tyre janë Murxhiat që thonë se besimi përbëhet vetëm nga besimi i zemrës, ose nga njohja me zemër, gjë të cilën e thonë Xhehmitë. Murxhitë ekstrem besojnë se besimi përbëhet vetëm nga besimi i zemrës.
Sipas Murxhiah Fukahave besimi përbëhet nga besimi me zemër dhe të shprehurit me gjuhë. Ata përjashtojnë veprat nga besimi.
Ehl-us-Sunneti besojnë se besimi përbëhet nga veprat e zemrës dhe veprat e gjymtyrëve pas bindjes. Besimi pra përbëhet nga bindja dhe veprat e zemrës, duke përfshirë frikën ndaj Allahut, dashurinë për Allahun, shpresën në Allahun, përmallimin për Allahun dhe mbështetjën në Allahun. Të gjitha këto i përkasin veprimeve të zemrës. Këto janë thelbi i besimit. Besimi nuk mund të ekzistojë pa to. E njëjta gjë vlen edhe për veprat e gjymtyrëve të trupit sikurse agjërimi, namazi, zekati, xhihadi dhe detyra të tjera. Madje i përket besimit edhe të largosh diçka të dëmshme nga rruga;
”Besimi është më shumë se shtatëdhjetë degë. Më e larta e tij është fjala ”La ilahe ilAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”, dhe më e ulëta është të largosh diçka të dëmshme nga rruga. Turpi është gjithashtu një degë nga degët e besimit.” 2
Ky besim shtohet me vepra të mira dhe mangësohet me mëkate. Ai shtohet derisa të bëhet sa kodra dhe mangësohet deri sa ai të peshojë më pak se një milingonë.
Murxhiat mendojnë se besimi as nuk shtohet as nuk mangësohet sepse sipas tyre besimi përbëhet vetëm nga besimi me zemër prandaj ai nuk mund të mangësohet. Ata thonë se besimi me zemër nuk pranon mangësim, nëse ai do të pranonte mangësim atëherë njeriu do të dilte nga besimi. Prandaj ai nuk mangësohet. Ata gjithashtu besojnë se besimi nuk ndryshon tek njerëzit. Të gjithë kanë një besim të barabartë, thonë ata. Sipas tyre njeriu më mëkatar ka besimin aq të fortë i cili është i barabartë me besimin e profetëve, besimtarëve dhe engjëjve. Teoria e tyre është një devijim i madh. E kundërta e tyre në devijim janë Khauarixhët.
Murxhiat ekstrem kanë sherr të madh, sepse ata e rrënojnë Sheriatin me këtë bindje të keqe. Khauarixhët gjithashtu janë të fëlliqur sepse ata bëjnë tekfir (përjashtojnë nga feja) umetin, vrasin muslimanët dhe e konsiderojnë të jetë e ligjshme për të shuar jetën e tyre dhe për të konfiskuar pasurin e tyre. Sapo një person të bëj një mëkat të madh sikurse është zinaja, vjedhja apo vrasja, ata e konsiderojnë atë të jetë kafir. Kjo është një gënjeshtër, një devijim dhe një mungesë e të kuptuarit. Pse Allahu urdhëron që hajduti të dënohet?
وَالسَّارِقُ وَالسَّارِقَةُ فَاقْطَعُواْ أَيْدِيَهُمَا جَزَاء بِمَا كَسَبَا نَكَالاً مِّنَ اللّهِ وَاللّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ
“Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart (në kyç), si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i Plotfuqishëm, Ligjdhënës i Urtë.” 3
Pse Allahu urdhëron që konsumuesi i alkoolit të dënohet? Kur një person i cili kishte pirë alkool u dërgua tek profeti ﷺ, ku disa e mallkuan atë, i dërguari i Allahut ﷺ tha:
”Mos e mallkoni atë. Ai e do Allahun dhe të dërguarin e Tij.” 4
Si mundet besimtari të dënohet dhe të dal nga besimi njëkohësisht? Sepse dënimi e pastron atë. Edhe personi i cili dënohet për zina pastrohet nga mëkati i tij. Sa për atë që del nga besimi, i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Vriteni atë që ndërronë fenë e tij.”5
Mëkatet sikurse zinaja, vrasja dhe konsumimi i alkoolit janë shumë të rënda dhe serioze në Islam, por ato nuk e nxjerrin vepruesin e tyre nga Islami. Në vend të kësaj ata dënohen në këtë jetë dhe në jetën tjetër nëse Allahu nuk i falë ata. Megjithatë, personi nuk del nga Islami. Monoteizmi i mëkatarit padyshim e nxjerrë atë nga zjarri për në xhenet.
1 Ebu Daudi (4682) dhe Tirmidhi (1162). I mirë sipas Albanit.
2 Muslimi (35).
3 5:38.
4 Bukhari (6780).
5 Bukhari (3017).