Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Burimi: Adab-uz-Zifaf, fq. 105-107
Përktheu: Valdet Gashi
El-Mikdad bin el-Esued ka thënë:
“Unë dhe dy shokë mbërritëm tek i dërguari i Allahut ﷺ. Ne ishim shumë të uritur dhe u kërkuam njerëzve ndihmë por askush nuk na ftoi në shtëpi. Atëherë i dërguari i Allahut ﷺ na çoi në shtëpinë e tij. Ai kishte katër dhi dhe tha: “O Mikdad! Ndaje qumështin e tyre midis nesh në katër pjesë.” E ndava në katër pjesë. Të gjithë pinë pjesën e tyre dhe ne ia lamë pjesën e tij të dërguarit të Allahut ﷺ. Atë natë, i dërguari i Allahut ﷺ nuk ishte i pranishëm dhe unë mendova se duke qenë se ai do të ishte me Ensarët, ata do ta mirëprisnin dhe kështu ai do të kishte ngrënë dhe do të kishte pirë mjaftueshëm. Më shkoi mendja që të pi pjesën e tij të qumështit. Më në fund e piva atë dhe e mbulova tasin. Kur mbarova, u shqetësova dhe mendova: “I dërguari i Allahut ﷺ do të kthehet në shtëpi i uritur dhe nuk do të gjejë asgjë?” U shtriva për të fjetur dhe për tu mbuluar kisha një pallto leshi; sa herë që doja të mbuloja kokën, këmbët e mia zbuloheshin dhe sa herë që doja të mbuloja këmbët koka më zbulohej. Unë nuk mund të flija gjumë dhe fillova të mendoj. Shokët e mi ishin në gjumë. Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ hyri dhe përshëndeti duke dhënë selam aq sa personi që ishte zgjuar mund ta dëgjonte përshëndetjen e tij pa u zgjuar personi që ishte në gjumë. Pastaj shkoi në xhami dhe u fal. Pastaj erdhi për të pirë pjesën e tij të qumështit, zbuloi tasin dhe pa që ishte bosh, pastaj ai tha:
اللهم أطعم من أطعمنى واسق من سقاني
“O Allah! Jepi ushqim atij që më dha ushqim dhe jepi të pijë atij që më dha pije.”
E ruajta këtë lutje. Pastaj vesha mantelin, kapa një thikë të madhe dhe shkova te dhitë. I preka me dorën time për të ditur se cila ishte më e majme dhe pastaj e thera atë për të dërguarin e Allahut ﷺ. Të gjitha gjinjtë ishin plot qumësht. Mora një nga tasat e shtëpisë së Muhammedit ﷺ që ishin për qumësht dhe e mbusha me qumësht. Pastaj shkova me të tek i dërguari i Allahut ﷺ, pas së cilës ai ﷺ tha: “A nuk e ke pirë pijen tënde sot o Mikdad?” Unë u përgjigja: “Pi o i dërguari i Allahut!” Ai më vështroi dhe më tha: “Duhet të kesh bërë diçka të keqe. Çfarë ka ndodhur o Mikdad?” Unë i thashë: “Pi së pari. Pastaj do të them se çfarë ka ndodhur.” Ai piu deri sa u ngop dhe pastaj më dha për të pirë. Kur kuptova se i dërguari i Allahut ﷺ ishte ngopur dhe lutja e tij më kishte përfshirë, fillova të qeshja sa që u rrëzova në tokë. Ai ﷺ tha: “Çfarë po ndodh?” Unë i tregova atë që kishte ndodhur dhe ai ﷺ tha: “Kjo begati ka zbritur nga qielli. Të më kishe treguar që edhe shokët e tu të mund të pinin.” Atëherë unë thashë: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Nëse unë dhe ti jemi përfshirë nga kjo begati, nuk më intereson për ata që e kanë humbur atë.” 1
1 Muslimi, Ahmedi dhe konteksti i mësipërm i hadithit është i tij, Ibn Sa’di, pjesërisht et-Tirmidhi i cili e saktësoi atë dhe el-Harbi në “el-Gharib”.