Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Kujdesi ndaj ruajtjes së kohës dhe shfrytëzimi i saj në të mirë

Imam Abdurr-Rrahman bin Xheuzi el-Hanbeli

Burimi: “Laftatul-Kebid fi Nasihatil-Ueled”, fq. 12-13

Përgatiti: www.perlatmusliman.com

Biri im i dashur! Pendohu për të kaluarën tënde. Përpiqu të jesh prej atyre që janë më të mirët, përderisa ende ke kohë për këtë. “Ujite pemën përderisa ajo është e njomë”. Kujtoje kohën që e ke humbur kot, e le të të mjaftojë kjo si mësim për ty. Tashmë është zhdukur “kënaqësia” që të ka sjell përtacia dhe kanë ikur kot të gjitha “mirësitë” që i ke fituar nga ajo.

Të parët tanë të mirë- Allahu i mëshiroftë- donin që t’i vepronin të gjitha punët e mira, qanin atëherë kur nuk vepronin ndonjë prej këtyre veprave. Ibrahim bin Ed’hemi- Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Ne ishim në vizitë tek një person i sëmurë, i njohur për përkushtimin që kishte ndaj adhurimeve. Përderisa ai shikonte këmbët e tij dhe qante, ne pyetëm pse po qante. Ai tha: “Ato kurrë nuk u pluhurosen (në luftë) për hir të Allahut.”

Një tjetër ishte pyetur se pse qante e ai u përgjigj: “Ka një ditë në të cilën nuk e kam agjëruar dhe ka një natë në të cilën nuk kam falur namaz nate.”

Biri im i dashur! Dije se orët bëhen ditë e nganjëherë frymëmarrjet bëhen orë. Çdo frymëmarrje është depo në vete, andaj ke kujdes që të mos shkojë një frymëmarrje kot, në mënyrë që mos të gjesh një depo bosh në Ditën e Gjykimit dhe të pendohesh për këtë më pas. Një njeri i tha Amir bin Abd Kajsit:

“Ndalo të të flas.” Kurse ai iu përgjigj: “Ndaloje diellin (pastaj do të ndalem unë).” (Hiljetul-Eulija (2/88-89)

Një grup i njerëzve erdhën tek Ma’rufi- Allahu e mëshiroftë- i cili tha: “A nuk do të shkoni? Meleku bën që dielli të lëvizë dhe nuk ndalet në asnjë moment (v.p.: kjo do të thotë që koha po kalon).”

Në një hadith, Profeti salallahu alejhi ue selem thotë:

من قال سبحان الله العظيم وبحمده، غرست له بها نخلة في الجنة

“Kushdo që thotë: “Subhanallahil-‘Adhim ue bihamdihi”, i mbillet një palmë në Xhenet.” (Ibn Hiban (823)

Shiko nga e gjithë ajo koha jote sa palma ke humbur! Merr shembuj nga të parët tanë të mirë, të cilët e shfrytëzonin kohën më mënyrën më të mirë.

Shpërndaje: