Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 57-58
Përktheu: Valdet Gashi
Autori tha:
“Muhammedi ﷺ është robi i Tij i zgjedhur.”
Ai ﷺ, pra, ishte rob i Allahut (azze ue xhel). Atij nuk i përket asgjë prej Uluhijes (adhurimit) dhe sundimit. Ai ishte vetëm rob dhe i dërguari i Allahut që kreu urdhrat e Tij, qëndroi larg ndalesave të Tij dhe përcolli shpalljen e Tij. Ky është refuzim për të gjithë njerëzit që kanë një qëndrim të tepruar ndaj tij ﷺ. Disa njerëz e ekzagjerojnë me të dërguarin ﷺ sikur ai posedon diçka prej sundimit (Teuhidit Rububijeh) apo i atribuojnë atij tipare hyjnore, duke iu lutur atij karshi Allahut. Ky është i njëjti lloj ekzagjerimi, që nasarat (krishterët) e kanë ndaj Mesihut (Isa bin Merjemit) ﷺ. Nasarat pretendojnë se Isai ﷺ është biri i Allahut apo edhe vetë Allahu, apo pjesë e trinitetit (i treti i të treve). Në fjalën (e autorit): rob i zgjedhur: refuzohet ky teprim dhe ekzagjerim në lidhje me të dërguarin e Allahut, pasi ai është rob dhe gjithçka në qiej dhe në tokë janë robër të Allahut (azze ue xhel). Allahu (subhanehu ue teala) ka thënë:
إِن كُلُّ مَن فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ إِلَّا آتِي الرَّحْمَنِ عَبْدًا
“Nuk ka asnjë në qiej dhe në tokë që të mos i kthehet të Gjithëmëshirshmit si rob i nënshtruar.” 1
Engjëjt janë gjithashtu robër:
بَلْ عِبَادٌ مُّكْرَمُونَ لَا يَسْبِقُونَهُ بِالْقَوْلِ وَهُم بِأَمْرِهِ يَعْمَلُونَ
“Ata janë vetëm robër të nënshtruar të nderuar. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai, dhe ata veprojnë me urdhrin e Tij.” 2
Profetët dhe të dërguarit ishin robër të Allahut. Ai (subhaneh) tha për Nuhin ﷺ:
إِنَّهُ كَانَ عَبْدًا شَكُورًا
“Vërtet që ai ishte rob falënderues.” 3
Dhe ka thënë:
فَكَذَّبُوا عَبْدَنَا
“Populli i Nuhut e përgënjeshtroi robin Tonë (Nuhun)” 4
Allahu tha në lidhje me Daudin ﷺ:
اصْبِرْ عَلَى مَا يَقُولُونَ وَاذْكُرْ عَبْدَنَا دَاوُودَ ذَا الْأَيْدِ إِنَّهُ أَوَّابٌ
“Ji i duruar (O Muhammed) për çfarë thonë ata dhe kujto robin Tonë, Daudin të pajisur me fuqi. Vërtet që ai, gjithnjë drejtohej për të gjitha çështjet dhe me pendim (tek Allahu).” 5
Allahu tha në lidhje me Sulejmanin ﷺ:
وَوَهَبْنَا لِدَاوُودَ سُلَيْمَانَ ۚ نِعْمَ الْعَبْدُ ۖ إِنَّهُ أَوَّابٌ
“Daudit Ne i dhuruam Sulejmanin. Sa rob i shkëlqyer që ishte ai! Vërtet që ai ishte që kthehej gjithnjë me pendim (drejt Nesh)!” 6
Allahu tha në lidhje me Ejubin ﷺ:
وَاذْكُرْ عَبْدَنَا أَيُّوبَ إِذْ نَادَى رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الشَّيْطَانُ بِنُصْبٍ وَعَذَابٍ
“Dhe kujto robin Tonë, Ejubin, kur ai e luti Zotin e tij: “Me të vërtetë që shejtani më ka prekur mua me mjerim (duke më dëmtuar shëndetin) dhe me ndëshkim (duke më humbur pasurinë)!” 7
Allahu tha në lidhje me Isain ﷺ:
إِنْ هُوَ إِلَّا عَبْدٌ أَنْعَمْنَا عَلَيْهِ وَجَعَلْنَاهُ مَثَلًا لِّبَنِي إِسْرَائِيلَ
“Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob. Ne i dhuruam mirësinë Tonë atij dhe Ne e bëmë atë shembull për beni Israilët (krijimin dhe lindjen e tij pa baba).” 8
Nëse profetët, të dërguarit dhe engjëjt janë robër të Allahut dhe ata janë më të mirët nga krijesat atëherë të gjithë të tjerët nga eulijatë dhe të devotshmit janë edhe më shumë parësorë (që të jenë robër të Allahut).
1 19:93
2 21:26-27
3 17:3
4 54:9
5 38:17
6 38:30
7 38:41
8 43:59