Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 112
Përktheu: Valdet Gashi
Pasi që profeti ﷺ mbaronte leximin ai heshtte për një moment1. Pastaj i ngriste duart2 sikurse vepronte në lidhje me tekbirin fillestar, bënte tekbir3 dhe zbriste në ruku4. Kështu ai e urdhëroi burrin që u fal në mënyrë të gabuar, dhe tha:
”Vërtet, namazi i ndonjërit prej jush nuk është i plotë derisa ai të marrë abdes në mënyrë korrekte sikurse e ka urdhëruar Allahu… Pastaj të thotë: Allahu Ekber, e ta lavdërojë dhe ta madhërojë Allahun, pastaj lexon nga Kurani aq sa i vjen më së lehti nga ajo çka Allahu e ka mësuar dhe i ka lejuar, bën tekbir zbret në ruku dhe vendos duart mbi gjunjë në mënyrë që të gjitha pjesët e tij të trupit të jenë në vendet e tyre…”5
1 Ebu Daudi dhe Hakimi i cili e vërtetoi hadithin dhe Dhehebi u pajtua me të. Sipas Ibn-ul-Kajimit dhe dijetarëve të tjerët ky moment i shkurtër është për të rimarrë frymën.
2 Bukhari dhe Muslimi. Ky veprim është transmetuar nga shumë burime nga profeti ﷺ. E njëjta gjë vlen për ngritjen pas rukusë. Këtë mendim e kanë tre imamët dhe shumica e muhadithëve dhe fukahave. Imam Maliku -rahimehullah- e kishte këtë mendim kur ai vdiq, transmetoi Ibn Asakir (2/78/15). Edhe disa Hanefi e kanë këtë mendim. Njëri prej tyre është Isam bin Jusuf i cili ishte student i Ebu Ismah El-Balkhit (v. 210), i cili ishte student i imam Ebu Jusufit -rahimehullah-. Kjo tashmë është treguar në parathënie. Abdullah bin Ahmedi tha në librin e tij “El-Mesail” se babai i tij ka thënë:
”Është transmetuar nga Ukbeh bin Amir se ai tha lidhur me ngritjen e duarve në namaz: ”Ai merr dhjetë shpërblime për çdo ngritje të duarve.” (fq. 60).
Kjo mbështetet nga hadithi Kudsi:
”Ai që ka për qëllim të bëjë një vepër të mirë dhe e bënë atë shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqind fish.” (Sahih-ut Targhib (16)).
3 Bukhari dhe Muslimi.
4 Bukhari dhe Muslimi.
5 Ebu Daudi dhe Nesai. Vërtetuar nga Hakimi dhe Dhehebi u pajtua me të.