Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 422-424
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Xhihadi nën udhëheqësit e devotshëm dhe mëkatarë vlen deri në ditën e gjykimit dhe nuk duhet braktisur. Shpërndarja e plaçkës së luftës dhe zbatimi i dënimeve nga pushtetarët janë të vlefshme. Askush nuk ka të drejtë që t’i fyej dhe kontestoj ata. Është e lejueshme dhe e vlefshme që t’u paguhet zekati atyre pavarësisht nëse ata janë të devotshëm ose mëkatar. Falja e namazit të xhumasë pas tyre dhe guvernatorëve të tyre është e lejuar dhe e plotë dhe përbëhet nga dy rekate. Ai që e përsëritë atë është bidatçi që anashkalon transmetimet dhe e kundërshton sunnetin. Ai me këtë nuk arrin asgjë nga vlera e xhumasë përderisa nuk e konsideron të saktë faljën e namazit të xhumasë me udhëheqësit pavarësisht nëse ata janë të devotshëm ose mëkatarë. Është sunnet falja e dy rekateve me ta dhe t’i konsiderosh ato të jenë të sakta. Ti nuk duhet të dyshosh në këtë.”
Shpjegimi
Pasi që xhihadi është në fuqi deri në ditën e gjykimit, ne duhet të luftojmë nën udhëheqjen e pushtetarit pavarësisht nëse ai është i devotshëm apo mëkatar. Kështu e praktikonin selefët duke përfshirë Ibn-ul-Mubarakun, el-Euzain dhe Ahmed bin Hanbelin. Ata dolën në kufi dhe luftuan nën udhëheqjen e Abasive.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Shpërndarja e plaçkës së luftës dhe zbatimi i dënimeve nga pushtetarët janë të vlefshme.”
Ata besojnë se janë udhëheqësit ata që shpërndajnë plaçkat e luftës dhe zbatojnë dënimet për kurvëri, vrasje, vjedhje, abuzim të alkoolit dhe të ngjashme. Kjo është detyrë e atyre që janë në pushtet dhe jo një gjë që individët apo grupet duhet bërë. Pushtetari duhet të përkujdeset për këto sepse kjo është e drejta e tij. Që individët ose grupe të merren me këtë gjëra kjo shpie vetëm në gjakderdhje dhe trazira të pafundme. Kur një pushtetar e kryen këtë detyrë, por ai është mëkatar, njerëzit qetësohen dhe umeti i shmanget trazirave.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Askush nuk ka të drejtë që t’i fyej dhe kontestoj ata.”
As në lidhje me ekzekutimin apo shpërndarjen e plaçkës së luftës, në kundërshtim me veprimin e Dhul-Khuuejsiras.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Është e lejueshme dhe e vlefshme që t’u paguhet zekati atyre pavarësisht nëse ata janë të devotshëm ose mëkatar.”
Sepse muslimani ka të drejtë që të shpërndajë plaçkat e luftës ashtu sikurse beson se është e saktë. Të dy medhhebet edhe i imam Ahmedit dhe i imam Shafi’iut bëjnë dallimin ndërmjet zekatit të dukshëm dhe zekatit të fshehur. Ata besojnë se zekati i dukshëm i jepet pushtetarit, ndërsa zekati i fshehuri sikurse ari, argjendi dhe mallrat, paguhen direkt nga pronari. Disa preferojnë që paguesi i zekatit ta bëjë këtë personalisht për tu siguruar nëse ai arrin në vend të duhur. Por në qoftë se i jepet pushtetarit atëherë kjo është e vlefshme. Nëse pushtetari kërkon që ajo t’i paguhet atij, qytetarët duhet t’i binden atij. Dhe në qoftë se ata refuzojnë t’i binden atij, ai duhet t’i luftojë ata në të njëjtën mënyrë sikurse sahabët i luftuan ata që nuk e dhanë zekatin.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Falja e namazit të xhumasë pas tyre dhe guvernatorëve të tyre është e lejuar dhe e plotë dhe përbëhet nga dy rekate.”
Duhet falur namazin e xhumasë prapa pushtetarit dhe guvernatorit të përcaktuar prej tij sikurse gjyqtarët dhe imamët e xhamive. Pra falja e xhumasë prapa tyre është e lejuar në këtë mënyrë dhe e saktë dhe përbëhet nga dy rekate.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Ai që e përsëritë atë është bidatçi që anashkalon transmetimet dhe e kundërshton sunnetin.”
Disa njerëz e përsërisin namazin e xhumasë për shkak të diçkaje që ata besojnë të jetë një arsye. Ose për shkak se xhemati nuk arrin dyzet njerëz, ose sepse ata besojnë se namazi i imamit është i pavlefshëm. Arsyeja e dytë është më e keqe se e para. Personi është bidatçi. Ti nuk duhet ta përsëritësh namazin nëse imami është bidatçi. Falu dhe mos e përsëritë namazin. E njëjta gjë vlen, nëse imami është i padrejtë. Falu pas tij dhe mos e përsëritë namazin. Ti je bidatçi në qoftë se e përsëritë namazin e xhumasë. Imam Ahmedi ka thënë:
Është sunnet falja e dy rekateve me ta dhe t’i konsiderosh ato të jenë të sakta. Ti nuk duhet të dyshosh në këtë.”