“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Fletët dhe degët e pemës të cilat pengojnë fqinjin

Pyetje: Cili është mendimi më i saktë në lidhje me çështjen ku një person posedon një pemë, degët dhe fletët e së cilës shtrihen deri tek prona e fqinjit të tij? Dhe cili është dëmi që vjen si pasojë e kësaj? Cila është shkalla e hadithit të përmendur nga shejkhul islam Ibnu Tejmijeh, (Allahu e mëshiroftë), ku përmendet shkulja e një palme hurme të një personi kur ky i fundit refuzoi t’ia shiste fqinjit të tij (pronarit të një kopshti) për shkak të dëmit që i shkaktohej këtij të fundit nga degët dhe fletët e kësaj palme hurme?1

Përgjigja: Unë kam medituar rreth çështjes së lartpërmendur dhe pashë se njerëzit e dijes kanë përmendur dy mendime në lidhje me këtë çështje:

E para, që pronari nuk është i detyruar ta heqë atë.

E dyta: Ai detyrohet të heqë pemën nëse ai refuzon të pranojë dëmin që i ka shkaktuar fqinjit.

Nga ajo që më është bërë e qartë është se mendimi i dytë është më i saktë për disa arsye:

E para: Kjo është në përputhje me argumentet sheriatike si p.sh. thënia e tij ﷺ:

“Nuk lejohet t’i bësh dëm vetes e as dikujt tjetër.”  [2]

dhe ajo çfarë është transmetuar me këtë kuptim.

E dyta: Thënia e tij ﷺ:

”Kushdo që beson në Allahun dhe në ditën e fundit nuk duhet ta dëmtojë fqinjin e tij.” [3]

Nuk ka dyshim se fletët dhe degët e pemës e dëmtojnë fqinjin dhe kjo hyn tek dëmi i ndaluar prandaj është obligim që fqinji të ndalohet nga ky veprim.

E treta: Mosndalimi i këtij dëmi mund të shpie në grindje dhe armiqësi midis tyre dhe ndoshta mund të çojë në atë që është më e rëndë se kjo si p.sh. mashtrimi apo çfarë është më e keqe se kjo, kështu që është e nevojshme të zgjidhet ky konflikt dhe argumentet sheriatike tregojnë se sa të shumta janë të këqijat që vijnë si pasojë e këtij konflikti, të këqija të cilat as që nuk mund të numërohen, prandaj është obligim t’i mbyllet dera këtyre shkaqeve që çojnë në shkatërrim, grindje dhe armiqësi apo në atë që është më e rëndë se kaq.

Sa i përket hadithit të pronarit të palmës së hurmës, këtë hadith e ka transmetuar Ebu Daudi nga hadithi i Muhammed bin Ali bin el-Husejnit, nga Semura bin Xhundub dhe zinxhiri i tij i transmetimit të këtij hadithi duhet parë për shkak se nuk dihet që Muhammed bin Ali të ketë dëgjuar hadithe nga Semura (bin Xhundub), përkundrazi ajo që duket qartë është se ai nuk ka dëgjuar prej tij, siç ka thënë për këtë el-Hafidh el-Mundhiri në (Mukhtasar el-Sunen). Por el-Hafidh ibn Rexheb në komentin e tij të “40 haditheve”, ka përmendur tek (hadithi me nr 32) se ky hadith (me nr 32) është përforcues për hadithin në fjalë gjë që tregon atë që përmendëm më parë, në hadithin e përmendur në fillim (”Nuk lejohet as zarari dhe as dëmtimi i tjetrit.”), se fjala më e saktë në këtë çështje është detyrimi i pronarit të pemës që të heqë fletët ose degët e pemës dhe nëse ky dëm nuk hiqet vetëm se duke shkulur pemën me forcë, atëherë ai detyrohet ta bëjë këtë pasi kjo ka të bëjë me çështjen e dëmit dhe konfliktit midis individëve si dhe me çështjen e përkujdesjes për të drejtën e fqinjësisë [4].


1-Ebu Daudi, hadithi nr 3636 (daif sipas shejkh Albanit)

2-E transmetoi Ibn Maxheh në Kitab el-Ahkam, kapitulli mbi atë që ndërton në pronën e tij, atë që dëmton fqinjin e tij, nr. 2331.

3-Bukhari e transmetoi atë në librin el-Edeb, kapitulli ”Kushdo që beson në Allahun dhe ditën e fundit nuk duhet ta dëmtojë fqinjin e tij”, me nr. 5559, dhe Muslimi në Sahih, Kitabul Iman, kapitulli: Nxitja dhe përkujdesja në nderimin e fqinjit dhe mysafirit si dhe obligimi i heshtjes (ose të folurit i fjalëve të drejta dhe të mira) nr. 68.

4-Është botuar në revistën e Universitetit Islamik të Medinës. (Përmbledhja me fetvat e shejkh bin Bazit 25/374).

Shpërndaje: