Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

74.Obligimi i të qenurit i qetë pas rukusë

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 120-121

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Pas rukusë, profeti ﷺ qëndronte pothuajse aq kohë sa ai ishte në ruku. Ai mund të qëndronte aq kohë të gjatë saqë ata thanë:

”Ai ka harruar.”1

Ai urdhëroi që pas ngritjes nga rukuja të qëndrohet qetë, dhe i tha personit që u fal në mënyrë të gabuar:

”Pastaj ngrite kokën në mënyrë që të qëndrosh me shpinë drejtë në mënyrë që çdo asht të bjerë në vendin e vet.”

Në një transmetim tjetër ai thotë:

”Kur të ngrihesh duhet ta drejtosh shpinën dhe ta ngrish kokën në mënyrë që eshtrat të kthehen në vendin e vet.”2

Ai ﷺ ka thënë se namazi i askujt nuk është i plotë për derisa nuk vepron kështu.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Allahu -azze ue xhel- nuk shikon në namazin e një personi nëse ai nuk e drejton shpinën në mes të rukusë së tij dhe sexhdes.”3


1 Bukhari, Muslimi dhe Ahmedi. Hadithi është përmendur në “Irua-ul-Ghalil (307)”.

2 Fjalia e parë është transmetuar vetëm në Bukhari dhe Muslim. Pjesa tjetër gjendet tek Darimi, Hakimi, Shafei, dhe Ahmedi.

Vërejtje

Kuptimi hadithit është i qartë dhe i kuptueshëm; d.m.th. se trupi duhet të jetë i qetë në këtë pozicion. Disa vëllezër në Arabinë Saudite dhe në vende tjera argumentojnë me këtë për të provuar se është obligim për t’i lidhur duart në këtë pozitë. Kjo është shumë larg duke pasur parasysh të gjitha transmetimet e mbledhura në lidhje me njeriun që u fal në mënyrë të gabuar. Argumentimi është i kotë. Hadithi me transmetimet e tij të ndryshme dhe formulimet nuk flet fare për vendosjen e duarve në këtë pozitë. Prandaj si mund të jetë e lejueshme për të përdorur këtë hadith për të agrumentuar se dora e djathtë duhet të vendoset mbi të majtën pas rukusë? Kjo nëse të gjitha formulimet do të ndihmojnë mendimin në këtë rast. Çfarë të themi pra nëse hadithi argumenton të kundërtën?

Pos kësaj pozicioni i lartpërmendur nuk është gjëja e parë që i bie në mend njeriut kur bie fjala për këtë hadith. Eshtrat e përmendura në hadith janë shtylla kurrizore e cila është mbështetur nga hadithi i profetit ﷺ:

”Kur ai ngriti kokën e tij ai u ngrit në mënyrë që çdo rruazë u kthye në vendin e saj.”

Medito me paanshmëri!.

Unë nuk kam asnjë dyshim se është një bidat dhe devijim vënia e duarve në gjoks në këtë pozitë. Ky veprim nuk është përmendur fare në hadithet lidhur me namazin që janë jashtëzakonisht të shumta. Në qoftë se ato do ta kishin pasur një bazë ajo do të na ishte kumtuar neve qoftë edhe përmes një rruge të vetme. Me aq sa di unë askush nga selefët nuk veproi kështu e as nuk ka ndonjë imam në hadith që ka përmendur këtë.

Kjo nuk është e papajtueshme me atë që Shejkh Et-Tuvejxhiri përmendi në disertacionin e tij, fq. 18-19, imam Ahmedin -rahimehullah- i cili tha:

”Nëse ai dëshiron i mban duart poshtë pas rukus dhe në qoftë se ai dëshiron i vendos ato [në gjoks].”

Kështu e përmendi Salih bin imam Ahmed në librin e tij ”Mesa’il-ul-Imam Ahmed, fq. 90″, nga babai i tij. Ai nuk tha se profeti ka thënë kështu, ai tha kështu nga ixhtihadi dhe mendimi i tij. Një person i cili jep mendimin e tij mund të gabojë. Nëse ka dëshmi të duhur se një veprim është një bidat sikurse veprimi të cilin po e trajtojmë tani kjo nuk do të thotë se veprimi pushon të jetë një bidat vetëm për shkak se një nga imamët e ka këtë mendim, gjë të cilën Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh e ka konfirmuar në disa libra. Në fjalët e imam Ahmedit, unë në të vërtetë po shoh se si ai vetë nuk besonte se ky veprim është konfirmuar në sunnet sepse ai lejon të gjithë të vendosin se si ata duan t’i mbajnë duart. A mendon shejkhu fisnik se imam Ahmedi do të kishte thënë të njëjtën gjë në lidhje me veprimin para rukusë? Prandaj, sqarohet se ky veprim nuk është sunnet, e cila është vetë qëllimi.

3 Ahmedi dhe Tabarani në “El-Mu’xhem El-Kebir” me një zinxhir të saktë transmetimi.

Shpërndaje: