Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

76.Mënyra e sexhdes

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 122-126

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Profeti ﷺ zbriste në sexhde me duar para gjunjëve1. Ai urdhëroi këtë veprim dhe tha:

“Kur të bëjë ndonjëri prej jush sexhde, të mos zbresë me gjunjë si deveja, por le t’i vë duart e tij para gjunjëve.”2

Profeti ﷺ ka thënë:

“Vërtet, duart bëjnë sexhde sikurse fytyra që bën sexhde, prandaj, kur ndonjëri prej jush do të vë fytyrën (në tokë), le t’i vë edhe duart (në tokë), dhe kur ta ngrejë fytyrën, le t’i ngrejë edhe duart.”3

Ai ﷺ vendoste poshtë shuplakat e duarve, i shtrinte ato4, mblidhte gishtat5 dhe i drejtonte ato drejt kiblës.6

Profeti ﷺ vendoste duart në nivel me krahët e tij7 dhe nganjëherë në nivel me veshët e tij.8

I dërguari i Allahut ﷺ i vendoste hundën dhe ballin në tokë9. Ai i tha njeriut që u fal në mënyrë të gabuar:

“Kur të bësh sexhde, përqendrohu në të.”10

Në një transmetim tjetër ai ﷺ ka thënë:

“Kur të bësh sexhde, vendosi fytyrën dhe duart mirë në mënyrë që eshtrat tuaja të bien në vendin e duhur me qetësi dhe ngadalë.”11

Profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk ka namaz ai që nuk e vë hundën e tij në tokë sikurse e vë ballin.”12

Profeti ﷺ vendoste gjunjët dhe gishtat e këmbëve në tokë13.

Profeti ﷺ lakonte nyjat dhe gishtat e këmbëve drejt kiblës14.”

Profeti ﷺ i bashkonte thembrat15, i drejtonte këmbët16, urdhëronte të veprohej kështu17 dhe lakonte gishtat e këmbëve18.

Profeti ﷺ bënte sexhde me shtatë gjymtyrë të trupit: pëllëmbët, gjunjët, këmbët, ballin dhe hundën. Ai lejoi që dy pjesët e fundit të trupit të përbëjnë një pjesë të vetme të trupit gjatë sexhdes kur ai tha:

“Unë jam urdhëruar (në një transmetim tjetër, ”Ne jemi urdhëruar”) që të bëjmë sexhde me shtatë gjymtyrë të trupit; me ballë – dhe bëri me shenjë drejt hundës së tij – me duar (në një transmetim tjetër me ”pëllëmbë”), me gjunjë dhe këmbë, dhe të mos i përveshim rrobat19 ose t’i lidhim flokët.”20

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur robi bën sexhde gjithashtu bëjnë sexhde edhe shtatë gjymtyrë me të: fytyra, pëllëmbët, gjunjët dhe këmbët.”21

Profeti ﷺ pa një njeri që kishte lidhur flokët prapa dhe tha:

“Ky njeri është si shembulli i atij që falet me duar të lidhura (pas shpine).”22

Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë në lidhje me flokët e lidhura gjatë namazit:

“Ky është vendi ku ulet shejtani.”23

D.m.th. nyja e bishtalecit të tij.

Profeti ﷺ nuk vendoste bërrylat në tokë24. Bërrylat e tij ishin të ngritura nga toka dhe të larguara nga trupi në mënyrë që mund të shiheshin sqetullat e tij nga pas25. Nëse një qengj kishte dëshiruar të kaloj përfundi bërrylave të tij do të ishte në gjendje që ta bëjë këtë26. Ai kujdesej aq shumë në lidhje me këtë sa që disa nga sahabët e tij thanë:

“Na u dhimbsej i dërguari i Allahut ﷺ kur i largonte bërrylat e tij nga trupi gjatë sexhdes.”27

Profeti ﷺ urdhëroi këtë dhe tha:

“Kur të bësh sexhde duhet të vendosësh shuplakat tuaja ( tokë) dhe të ngrini bërrylat.”28

Profeti ﷺ ka thënë:

“Qëndro drejtë në sexhde. Askujt nuk i lejohet të shtrijë bërrylat në tokë si një qen.”29

Në një tjetër formulim thuhet:

“Askujt prej jush nuk i lejohet të shtrijë bërrylat në tokë si qen.”30

Ai ﷺ ka thënë gjithashtu:

“Mos i vëni bërrylat tuaj në tokë si një kafshë grabitqare. Mbështetu në shuplakat tuaja dhe mbaj pjesët e epërme të duarve ndaras nga trupi. Nëse vepron kështu të gjitha gjymtyrët e trupit tuaj bëjnë sexhde me ty.”31


1 Ibn Khuzejmeh (1/76/1), Darakutni dhe Hakimi e konsideroi hadithin autentik dhe Dhehebi u pajtua me të. Nuk ka hadith kundërshtues që është autentik. Këtë mendim e ka Maliku dhe i përshkruhet edhe Ahmedit, sikurse përmendet në “Et-Tahkik (2/108)” të Ibn-ul-Kajimit. El-Maruazi transmetoi me një zinxhir të saktë transmetimi se imam Euzai ka thënë:

“Unë kam qenë me njerëzit ndërsa ata zbritnin në sexhde me duart e tyre para gjunjëve.” (El-Mesail (1/147/1)).

2 Ebu Daudi, Tamam në “El-Fauaid (1/108)” dhe Nesai në “Es-Sughra” dhe “El-Kubra (1/47)” me një zinxhir të saktë transmetimi. Abdul-Hak e konsideroi hadithin autentik në “El-Ahkam El-Kubra (1/54)”.

Ai tha: “Hadithi ka zinxhir transmetimi më të mirë se sa zinxhiri i mëparshëm.” (1/56).

D.m.th. hadithi i Ueilit që e kundërshton atë. Edhe pse ai e kundërshton këtë hadith autentik dhe hadithin para tij kështu që zinxhiri i tij i transmetimit nuk është autentik. E njëjta gjë vlen për të gjitha hadithet e tjera me kuptim të ngjashëm. Këtë e kam shpjeguar në “Ed-Da’ifah (929)” dhe në “El-Irua (357)”.

Të dallosh veten nga deveja duke zbritur në sexhde me duar para gjunjëve, sepse deveja zbret me gjunjët e saj të para, e cila është përmendur në “Lisan-ul-‘Arab” dhe fjalorë të tjerë. Të njëjtën gjë e ka thënë imam Tahaui në “Mushkil-ul-Ethardhe “Sherh Me’anil-Etherdhe imam Es-Sarkasti -rahimehullah-. Ai njoftoi me një zinxhir të saktë transmetimi se Ebu Hurejra ka thënë:

Askush nuk duhet të zbres si një deve e trazuar.(Gharib-ul-Hadith (2/70 / 1-2)).

Imami tha: “Kjo vlen gjatë sexhdes. Ai nuk duhet të hidhet poshtë si një deve e trazuar e cila është në arrati. Në vend të kësaj, ai duhet të zbresë i qetë dhe ngadalë me duart e tij para gjunjëve të tij, e cila është transmetuar nga profeti ﷺ.”

Pastaj ai përmendi hadithin e mësipërm. Ibn-ul-Kajim u shpreh në mënyrë të çuditshme kur ai tha:

“Kjo është e pakuptueshme dhe e panjohur për dijetarët e gjuhës.”

Ai hodhi poshtë referencat e cituara dhe referenca të tjera të cilave ti mund t’u referohesh. E kam shpjeguar në detaje këtë në refuzimin tim ndaj Shejkh Et-Tuvejxhirit e cila shpresojmë se do të botohet.

3 Ibn Khuzejmeh (2/79/1), Ahmedi dhe Es-Sarraxh. Hakimi i cili e konsideroi hadithin të jetë autentik dhe Dhehebi u pajtua me të. Hadithi përmendet në “El-Irua (313)”.

4 Ebu Daudi dhe Hakim i cili e konsideroi hadithin të jetë autenik dhe Dhehebi u pajtua me të.

5 Ibn Khuzejmeh, Bejhaki dhe Hakimi i cili e konsideroi hadithin të jetë autentik dhe Dhehebi u pajtua me të.

6 Bejhaki me një zinxhir të saktë transmetimi. Tek Ibn Ebi Shejbeh (2/82/1) dhe Es-Sarraxh drejtimi i gishtave u theksua me anë të një transmetimi tjetër.

7 Ebu Daudi dhe Tirmidhi i cili e konsideroi hadithin autentik se bashku me Ibn-ul-Mulakin (2/27). Hadithi përmendet në “El-Irua (309)”.

8 Ebu Daudi dhe Nesai me një zinxhir të saktë transmetimi.

9 Ebu Daudi dhe Tirmidhi i cili e konsideroi hadithin autentik së bashku me Ibn-ul-Mulakin (2/27). Hadithi përmendet në “El-Irua (309)”.

10 Ebu Daudi dhe Ahmedi me një zinxhir të saktë transmetimi.

11 Ibn Khuzejmeh (1/10/1), me zinxhir të mirë transmetimi.

12 Darakutni, Tabarani (1/140/3) dhe Ebu Nuajm në “Akhbar Asbahan”.

13 Bejhaki me një zinxhir të saktë transmetimi. Tek Ibn Ebi Shejbeh (2/82/1) dhe Es-Sarraxh vuri në pah drejtimin e gishtave me një zinxhir transmetimi tjetër. Hakimi e konsideroi hadithin të jetë autenik dhe Dhehebi u pajtua me të.

14 Bukhari dhe Ebu Daudi. Shtojca është transmetuar nga Ibn Rahojah në “El-Musned (2/129/4)”. Ibn Sadi (4/157) ka transmetuar se Ibn Umeri pëlqente që të drejtojë çdo pjesë të trupit, duke përfshirë edhe gishtat e mëdhenj të dorës drejt kibles kur ai falej.

15 Tahaui, Ibn Khuzejmeh (654) dhe Hakimi i cili e konsideroi hadithin të jetë autentik dhe Dhehebi u pajtua me të.

16 Bejhaki me një zinxhir të saktë transmetimi.

17 Tirmidhi dhe Es-Sarraxh. Hakimi i cili e konsideroi hadithin të jetë autentik dhe Dhehebi u pajtua me të.

18 Ebu Daudi, Tirmidhiu i cili e konsideroi hadithin të jetë autentik , Nesai dhe Ibn Maxheh.

19 D.m.th. që rrobat nuk duhet të mbahen me duar gjatë rukusë dhe sexhdes, tha Ibn-ul-Athir në “En-Nihajeh”.

20 Bukhari dhe Muslimi. Hadithi përmendet në “El-Irua (310)”.

21 Muslimi, Ebu Auaneh dhe Ibn Hibani.

22 Muslimi, Ebu Auaneh dhe Ibn Hibani. Ibn-ul-Athir tha:

“Hadithi do të thotë se në qoftë se flokët e tij janë të lëshuara kështu që ato bien në tokë gjatë sexhdes, gjë për të cilën ai shpërblehet. Dhe në qoftë se ato janë të lidhur gërshet ato nuk konsiderohen të kenë bërë sexhde. Ai e krahasoi atë me personin duart e të cilit janë të lidhura për shkak se ato nuk e prekin tokën gjatë sexhdes.”

Me sa duket se ky gjykim vlen vetëm për burrat e jo për gratë, të cilën Sheukani e transmetoi nga Ibn-ul-Arabi.

23 Ebu Daudi dhe Tirmidhi i cili thotë se hadithi është i mirë. Edhe Ibn Khuzejmeh dhe Ibn Hibani e konsideruan hadithin autentik. Hadithi përmendet në “Sahih Sunen Ebi Daud (653)”.

24 Bukhari dhe Ebu Daudi.

25 Bukhariu dhe Muslimi. Hadithi përmendet në “El-Irua (359)”.

26 Muslimi, Ebu Auaneh dhe Ibn Hibani.

27 Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh me një zinxhir të mirë transmetimi.

28 Muslimi dhe Ebu Auaneh.

29 Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

30 Ahmedi dhe Tirmidhi i cili e konsideroi autentik hadithin.

31Ibn Khuzejmeh (2/80/1), El-Makdisi në “El-Mukhtarah” dhe Hakim i cili e konsideroi autentik atë dhe Dhehebi u pajtua me të.

Shpërndaje: