Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

27.Falja e namazit në sandale

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 79-80

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ndonjëherë ai e falte namazin zbathur dhe nganjëherë në sandale1.

Ai ia lejoi këtë umetit të tij dhe tha:

”Nëse ndonjë nga ju e fal namazin, ai ose duhet të mbathë sandalet ose t’i vendosë ato në mes të këmbëve të tij kështu që ai të mos e shqetësojë dikë me to.”2

Ai ﷺ konfirmoi se ndonjëherë falet namazi në to dhe tha:

”Dallohuni nga jehudët sepse ata nuk e falin namazin në sandalet e tyre ose në meste.”3

Ndonjëherë ndodhte që ai t’i zbathë ato gjatë namazit dhe pastaj vazhdonte të falë namazin.

Ebu Said El-Khudri ka thënë:

”Një ditë na udhëhoqi i dërguari i Allahut ﷺ në namaz. Në mes të namazit, ai zbathi sandalet e tij dhe i vendosi në anën e majtë të tij. Kur njerëzit e panë këtë veprim, edhe ata zbathën sandalet e tyre.

Pasi e mbaroi namazin, ai tha: ”Pse i zbathët sandalet tuaja?”

Ata thanë: ”Ne pamë se ti zbathe sandalet kështu që edhe ne zbathëm sandalet tona.”

Ai tha: Më erdhi Xhibrili dhe më tha se ka pisllëk, (ose ai tha: ”diçka të dëmshme/neveritshme”) në to (dhe në një transmetim tjetër ”papastërti”) kështu që unë i zbatha ato. Nëse ndonjë prej jush do të vijë në xhami, ai duhet të shikojë sandalet e tij. Nëse ai sheh se ka ndonjë pisllëk (ose ai tha: ”diçka të dëmshme/neveritshme”) në to (dhe në një transmetim tjetër ”papastërti”), ai duhet ta largojë papastërtinë dhe të falet në to.”4

Nëse ai ﷺ i zbathte ato, ai e kishte zakon t’i vendosë ato në anën e majtë të tij5.

Ai gjithashtu e kishte zakon të thoshte:

”Kur ndonjëri prej jush do të falet ai nuk duhet të vendos sandalet e tij në të djathtë të tij ose në të majtë të tij në mënyrë që ato të jenë në të djathtë të dikujt, përveç nëse nuk është askush në të majtë të tij. Në vend të kësaj le t’i vendos ato në mes të këmbëve të tij.”6


1 Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh. Tahaui përmendi se ky hadith është transmetuar në shumë rrugë.

2 Ebu Daudi dhe El-Bezar (53) hadithi është autentik sipas Hakimit dhe Dhehebi u pajtua me të.

3 Ebu Daudi dhe El-Bezar (53) hadithi është autentik sipas Hakimit dhe Dhehebi u pajtua me të.

4 Ebu Daudi, Ibn Khuzejmeh dhe Hakimi, hadithi është autentik sipas tij, Dhehebi dhe Neueui u pajtuan me të. Kjo përmendet në ”El-Irua (284)”.

5 Ebu Daudi, Nesai dhe Ibn Khuzejmeh (1/110/2) me zinxhir autentik të transmetimit.

6 Ebu Daudi, Ibn Khuzejmeh dhe Hakimi, hadithi është autenik sipas tij, Dhehebi dhe Neueui u pajtuan me të.

Shpërndaje: