Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

78.Ata janë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-Lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 120-121

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Prej metodologjisë së Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit është se ata e pasojnë të dërguarin ﷺ me zemër dhe me vepra, dhe pasojnë të parët në mesin e Muhaxhirëve dhe Ensarëve. Ata pasojnë porosinë e të dërguarit të Allahut ﷺ:

“Prandaj kapuni për sunnetin tim dhe sunnetin e khalifëve të mi të drejtë dhe të udhëzuar. Kapuni për të dhe shtrëngojeni me dhëmballë. Ju paralajmëroj kundër risive sepse çdo risi është bidat dhe çdo bidat është devijim.” 1

Ata e dinë se fjala e Allahut është fjala më e besueshme dhe se udhëzimi i Muhammedit ﷺ është udhëzimi më i mirë. Ata i japin përparësi fjalës së Allahut para fjalëve të njerëzve. Ata i japin përparësi udhëzimit të Muhammedit ﷺ para çdo udhëzimi tjetër. Prandaj, ata quhen pasuesit e Kuranit dhe të sunnetit. Prandaj ata quhen Xhemati. Xhemati është e kundërta e ndarjes edhe pse fjala karakterizon një grup njerëzish.

Konsensusi përbën një bazë të tretë në të cilën bazohen lidhur me dijen dhe fenë. Ata peshojnë veprimet e njerëzve, qofshin ato të brendshme apo të jashtme me ndihmën e këtyre tri bazave (me Kuran, me sunnet, me konsensus). Konsensusi i saktë është konsensusi i selefëve sepse pas tyre filluan mospajtimet në umet.

Shpjegimi

Një nga themelet e tyre është se ata pasojnë të dërguarin ﷺ dhe khalifët e tij të drejtë. Kjo i përket metodologjisë së Ehl-us-Sunnetit, domethënë se ata pasojnë të dërguarin ﷺ dhe rrugën e khalifëve të tij të drejtë. Kjo është metodologjia e Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Prandaj, ata quhen pasuesit e Kuranit dhe sunnetit. Prandaj ata quhen Xhemati. Xhemati është e kundërta e ndarjes. Ata quhen Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati për shkak se ata janë të bashkuar në Kuran dhe në sunnet, të cilat ata i besojnë dhe veprojnë në përputhje me to. Ata janë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati sepse ata janë unanim në lartësimin e  Kuranit dhe sunnetit. Me këto tri baza ata peshojnë fjalët dhe veprat e brendshme dhe të jashtme të njerëzve.

– Kurani është baza e parë.

– Sunneti është baza e dytë.

– Ixhmai (konsensusi) është baza e tretë.

Konsensusi i saktë është konsensusi i sahabëve dhe selefëve. Të gjitha ato që njerëzit thonë ose veprojnë kontrollohen me këto baza. Ajo që është në përputhje me to pranohet dhe ajo që nuk është në përputhje me to ajo refuzohet kushdo qoftë personi.


1 Ebu Davudi (4607), Tirmidhi (2676) dhe Ibn Maxheh (34). Autentik sipas Albanit në ”El-Irua” (2455).

Shpërndaje: