Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
El-Fetaua el-Kajjimeh lil-Usratil-Muslimeh, fq. 83-84
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Çdo vit ne kemi një festë e cila quhet dita e nënës, ajo festohet me 8 Mars dhe të gjithë njerëzit e festojnë atë. A është e ligjshme kjo festë? A na lejohet ta festojmë dhe të japim dhurata?
Përgjigje: Të gjitha festat që kundërshtojnë festat e bazuara në sheriat, janë të shpikura. Ato nuk ishin të njohura në kohën e selefëve. Gjithashtu është e mundur që kjo festë të ketë origjinën nga kufarët. Dhe përveç se festa është risi, ajo është edhe përngjasim me armiqtë e Allahut -subhanehu ue te ala-. Muslimanët i dinë festat e bazuara në sheriat, e ato janë: Fitër Bajrami, Kurban Bajrami dhe Xhumaja. Islami nuk ka festa tjera. Të gjitha festat e tjera janë të refuzuara, janë të kota sipas sheriatit të Allahut.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kushdo që shpik në çështjen tonë diçka që s’është prej saj, ajo është e refuzuar.”
Bukhari dhe Muslimi.
Kjo do të thotë se kjo vepër nuk pranohet nga Allahu. Pasi kjo është e qartë atëherë kuptojmë se festa e cila quhet “Dita e Nënës” nuk duhet të festohet, e as nuk duhet mbajtur ndonjë ceremoni solemne me këtë rast dhe as nuk duhet shkëmbyer dhurata dhe të ngjashme.
Muslimani është i detyruar që të jetë krenar për fenë e tij dhe t’i përmbahet asaj që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ ia kanë obliguar atij në këtë fe të çmuar që e kënaq Allahun. Ai as nuk duhet të shtojë e as të anulojë diçka nga feja.Gjithashtu muslimani nuk duhet ta pasojë gjithkënd. Ai duhet të ketë personalitetin e tij të mbështetur në sheriatin e Allahut (-subhanehu ue te ala- në mënyrë që të jetë sa më i mirë, e jo të pasojë të tjerët. Elhamdulilah, sheriati i Allahut është i përsosur në të gjitha segmentet e tij.
Allahu -te ala- ka thënë:
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” El-Maide, 5:3
Nëna meriton më shumë sesa të urohet vetëm një ditë në vit. Nëna ka të drejtën që fëmijët e saj të kujdesen për të, ta respektojnë maksimalisht dhe t’i binden asaj në atë që nuk është mosbindje ndaj Allahut -azze ue xhel-, pavarësisht nga koha dhe vendi.