Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Të konsideruarit udhëtar, udhëtimi dhe kushtet e tij

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Silsiletul-Huda ue Nur, kaseta nr. 247

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Pse e plotësuat (namazin tuaj)?”

(Gjatë një udhëtimi të shejkhut, përderisa ai ishte duke u falur me imam, i cili e shkurtoi namazin, ndërsa Shejkhu nuk e shkurtoi, kështu iu parashtrua kjo pyetje.)

Përgjigje: “Ashtu siç e kuptoj unë, çështja e të konsideruarit udhëtar, nuk ka të bëjë me kalimin e një distance të caktuar ashtu siç ka të bëjë me dy gjëra, e që janë: kushti bazë/nijeti dhe dalja nga qyteti/vendi. Pra, nëse ekziston nijeti për udhëtim dhe largohesh nga qyteti/vendi, atëherë duhet zbatuar rregullat e udhëtimit. Pas kësaj, distanca që ai kalon, nuk konsiderohet e shkurtë apo e gjatë. Nëse plotësohen këto dy kushte, atëherë nuk merret parasysh se a ke udhëtuar gjatë apo shkurtë.

Pra, nëse nuk ekziston kushti bazë/nijeti, edhe nëse udhëton në një distancë të shkurtër apo të gjatë, personi i tillë nuk konsiderohet mysafir, ngase udhëtimi është një nga gjykimet e Islamit, që janë të lidhura me këtë hadith, për të cilin disa prej dijetarëve islam kanë thënë se është një e treta e Islamit:

إنما الأعمال بالنيات و إنما لكل امرإ ما نوى

“Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas qëllimit, dhe çdo njeri shpërblehet sipas qëllimit që ka.”

Në realitet, kjo është një çështje shumë e ndjeshme, për të cilën dijetarët kanë pikëpamje të ndryshme dhe nuk pajtohen për diçka krejtësisht të qartë, aq sa dikush mund të thotë: “Kjo është e vërteta, kjo është mjaftë e qartë, nuk ka asnjë pengesë në rrugë.” Askush nuk mund ta thotë këtë, por ajo çfarë mund të thonë është: “Unë e zgjedh këtë.” Kështu që, unë zgjodha atë çfarë kam kuptuar nga libri i Ibn Tejmijes -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje. Ai ka një libër të veçantë në lidhje me rregullat e udhëtimit. Ai ka marrë një shembull shumë të mirë, nga i cili kërkuesit dhe nxënësit e dijes kuptojnë se udhëtimi nuk ka të bëjë asgjë me kalimin e një distance të gjatë kundrejt një distance të shkurtër.

Nëse thuhet se kjo (shkurtimi i namazit) nuk ka të bëjë asgjë me kalimin e një distance të shkurtë, atëherë unë mendoj se kjo nuk është një fushë e debatit, sepse është autentike se i dërguari (alejhis-salatu ue selem) shkonte nga Medina për në varrezat el-Beki’, u jepte selam atyre, pastaj kthehej. Gjithashtu, ai shkonte tek varrezat e dëshmorëve të Uhudit, u jepte selam dhe pastaj kthehej. Ai (salAllahu alejhi ue selem) në raste të tilla nuk e konsideronte veten si udhëtar, edhe pse ai (salAllahu alejhi ue selem) u largua nga qyteti. Edhe nëse kaloi një distancë të gjatë, nuk do të thotë se ai u bë udhëtar thjesht për shkak të kalimit të kësaj distance.

Shembulli që Ibn Tejmijeh ka marrë, është si në vijim:

Ai ishte nga Damasku sikurse edhe unë, ku janë të njohura disa vendbanime/fshatra rreth Damaskut, kështu që ai mori një shembull me një vendbanim të njohur deri në këtë kohë, si Duma. Ai tha se, në qoftë se një njeri del për gjah në Duma, i cili është 15 kilometra larg, nuk ka asnjë dyshim se kalimi i kësaj distanca tek ne konsiderohet udhëtim në bazë të zakoneve tona, nëse ekziston kushti themelor, i cili është qëllimi (nijeti) për të udhëtuar.

Ibn Tejmijeh tha se ky person nuk konsiderohet të jetë udhëtar, sepse ai ka shkuar në gjueti, pastaj kthehet menjëherë. Por, ajo që ndodhi, ishte se ai nuk kishte hasur në gjuetinë që kërkonte, kështu që ai vazhdoi në udhëtim, vazhdoi e vazhdoi dhe mbahet në vazhdim e më tej derisa të arrijë në Haleb. E mes të Halebit dhe Damaskut janë 400 kilometra udhëtim me veturë. Ibn Tejmije thotë se ky (njeri) nuk është udhëtar, edhe pse ai kishte kaluar distancën e udhëtarit- apo thënë distanca të shumta-, sepse kushtin e parë, i cili është qëllimi (nijeti) për të udhëtuar, ky person nuk e kishte.

Kështu që, ne mund të themi se një vozitës makine, del herët në mëngjes nga Amani, shembull: për të arritur në Ma’an, pastaj në el-‘Akabas (qytete në Jordani) dhe kthehet në mbrëmje, atëherë ky person nuk konsiderohet udhëtar sepse ai ka shkuar për të punuar, nuk ka menduar për të udhëtuar, por përkundrazi ai synon ta kryejë këtë punë për ta siguruar jetesën (sikurse ai në gjah).

Prandaj, në lidhje me çështjen e udhëtimit, ne duhet ta marrim në konsideratë kushtin themelor, e që është nijeti. Duke e marrë në konsideratë këtë nijet, gjykimi ndryshon për dy persona të cilët kalojnë në të njëjtën distancë, por njëri prej tyre është udhëtar e tjetri nuk konsiderohet si udhëtar për shkak të qëllimit të tij.

Në këtë mënyrë, kanë ndodhur gjykimet në lidhje me rregullat e vendbanimit, d.m.th. është planifikuar për një kohë të caktuar, shembull: dy njerëz u larguan nga qyteti dhe së bashku zbarkuan në një qytet tjetër.

Qëndrimi ndaj njërit prej tyre është se ai është udhëtar, ndërsa tjetri është vetëm një banor. Pse? Sepse personi i dytë ka një grua tjetër atje, kështu që ai shkon nga një grua tek tjetra. Në këtë mënyrë, për shkak se ka qenë një grua shkak për dëlirësin e tij, shkaktare për vendqëndrimin e tij atje, ai merr gjykimin tjetër të ndryshëm prej shokut të tij, sepse situata ndryshon.

Prandaj, ne mësojmë nga një përfundim shumë i rëndësishëm, që është: vendimet e sakta të udhëtarit ndryshojnë nga një person në tjetrin. Pra, ne nuk mund të caktojmë rregulla për një person duke marr si për shembull tjetrin.”

Shpërndaje: