Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pagesa me këste

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: “Feuaid minet-Tefsir”, fq. 109
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Allahu ‘Azze ue Xhel ka thënë:

وَإِن كَانَ ذُو عُسْرَةٍ فَنَظِرَةٌ إِلَى مَيْسَرَةٍ وَأَن تَصَدَّقُواْ خَيْرٌ لَّكُمْ إِن كُنتُمْ تَعْلَمُونَ

“Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.” 2:280

Është e detyrueshme për biznesmenin që t’i japë klientit/borxhliut një afat të caktuar dhe të mos e shqetësojë atë. Ai duhet t’i caktoj atij një afat dhe kohë derisa Allahu ia mundëson atij që ai t’ia paguaj borxhin. Në asnjë mënyrë ai nuk duhet ta shtypë atë me kamatë. Dhënia e një afati ku ai mund ta paguaj borxhin është e detyrueshme. Nuk është e lejuar për ta arrestuar atë, për ta shqetësuar apo trajtuar atë në mënyrë të padrejtë nëse vërtetohet se ai me të vërtetë është në gjendje të vështirë ekonomike. Prandaj, është e detyrueshme që të kihet durim ndaj tij.

Njerëzit që marrin kamatë nuk thonë kështu. Ata kërkojnë para shtesë për ta lënë klientin të qetë. Nëse ai e ka gjendjen e vështirë ata kërkojnë pagesa ekstra që ai ta paguaj borxhin pas çdo muaji apo pas çdo viti (në varësi të marrëveshjes). Kur të vijë koha e caktuar për kthimin e borxhit dhe kur ai nuk mund ta paguaj, ata veçse i shtojnë pagesa shtesë dhe i japin edhe kohë shtesë në mënyrë që tarifat të rriten edhe më shumë. Ky është qëllimi i tyre. Mirëpo, Allahu i ka refuzuar ata njerëz dhe ka urdhëruar që t’i jepet klientit/borxhliut një afat pa kërkuar prej tij kamatë. Në kohën e injorancës kur vinte koha për të bërë pagesën ata e kishin zakon që t’i thoshin klientit/borxhliut: “Ose paguaje borxhin tani ose do e paguash pastaj me kamatë!”

Nëse klienti nuk kishte mundësi të bënte pagesën në kohën e caktuar ata i kërkonin atij pagesa shtesë nga pagesa bazë që duhej të paguhej. Nga ajo që dëgjojmë është se kështu funksionojnë bankat në kohën e sotme edhe pse ndoshta ata nuk e publikojnë këtë gjë! Prandaj veprimi i tyre i takon veprimeve të injorancës.


[1] Në vendin tonë në Kosovë, në disa banka që funksionojnë në Kosovë, ekziston shërbimi të paguash me këste mujore pa kamatë. Përmes këtij shërbimi janë mashtruar disa myslimanë. Themi këtë duke pasur parasysh se, ky shërbim kërkon që, nëse pagesat nuk bëhen në kohë të caktuar, atëherë vjen në shprehje realizimi i normës së kamatës që varion nga banka në bankë. Andaj keni kujdes! Kamata e tillë është mu ajo kamata e cila është përdorur në kohën e injorancës nga arabët, gjë të cilën e ka refuzuar islami.

Shpërndaje: