“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

A është muzika e ndaluar?!

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr

Burimi: http://www.al-badr.net/web/index.php?page=lecture&

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Nganjëherë shohim se dalin njerëz të cilët pretendojnë se muzika është e lejuar, duke thënë se nuk ka ndonjë argument të prerë që aludon në ndalesën e saj. Kjo gjë po i huton njerëzit, posaçërisht kur pretendimi i tillë rrjedh nga dikush që numërohet (nga injorantët) se është prej njerëzve të ditur! Çfarë na thoni ju?”

Përgjigje: “Kjo që e ka përmendur pyetësi, ndodh me të vërtetë! Ka njerëz të cilët janë sprovuar me muzikë dhe zemrat e tyre tërhiqen tek ajo. Ai fillon e kërkon atë që i shkon për shtati tekeve të veta, epshit të vet në dëgjimin e muzikës. Prandaj, mundohet që të gjej argumente të pasakta, apo argumenteve të sakta u jep kuptim jo të drejtë dhe nuk i vë në vendin e duhur, dhe në të njëjtën kohë lë argumentet që janë të vërteta dhe autentike. Në Sahihun e Buhariut, transmetohet se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Do të ketë njerëz prej umetit tim që do ta lejojnë kurvërinë, mëndafshin, alkoolin dhe instrumentet muzikore.”

Ka dijetarë të hershëm e të mëvonshëm të cilët kanë tubuar argumente (nga Kurani dhe Sunneti) dhe ethere (nga sahabët) të cilët provojnë qartazi ndalesën e muzikës, dëmet dhe ndikimin e keq që ajo sjell. Prej tyre kemi dijetarin e famshëm, Ibnul-Kajjim-in (Allahu e mëshiroftë!) në librin Igathetul-lehfan dhe në libra të tjera. Dijetarët e cilësojnë muzikën si “porta e zinasë” dhe “porta e mëkateve” e cila e ngurtëson zemrën e njeriut.

Unë njoh një njeri të dijshëm të kësaj kohe, i cili e ka lejuar muzikën dhe është munduar të sjellë argumente në këtë drejtim. Ai ka kaluar një pjesë të madhe të kohës duke predikuar për lejimin e muzikës dhe në mbrojtje të saj. Por, pas një kohe të gjatë ai ka thyer audio-kasetat e tij me muzikë që i kishte, duke folur për jetën e mirë që e ka kaluar pas lënies së muzikës edhe pse kjo kishte ndodhur pas një periudhe tepër të gjatë kohore. Gjithashtu, tregon për keqardhjen që ndjente për shkrimet që kishte bërë në të mirë të lejimit të muzikës, duke folur gjatë, e ndër tjerash tregon -fjalët janë në këtë kuptim-: “Largohuni nga polemikat në të saktësuarit e haditheve të dobëta dhe anasjelltas (në lidhje me lejimin e muzikës).

Tani merreni këtë që po them, dhe dijeni se muzika e ngurtëson zemrën, shihni atë që thotë i dërguari i Allahut .” Dhe ai përmend gjëra të tjera në lidhje me të distancuarit nga muzika. Gjithashtu, ai e thekson se sa e ka nderuar atë Allahu (azze ue xhel) pas lënies së saj, dhe sa e sa përfitimin e ka pasur nga kjo, duke filluar nga çiltërsia e zemrës, dhënia pas Kuranit, dhënia pas dhikrit e namazit nafile, qetësimi i shpirtit e të tjera gjëra të cilat i ka fituar vetëm pas një periudhe të gjatë kohore në të cilën ishte i sprovuar me të.

Ndërsa ne e falënderojmë Allahun që i ka dhënë atij këtë mirësi, dhe e lusim Atë që t’ia shtoj mirësitë, ta forcojë dhe ta ngritë e t’ia begatojë atij jetën. Gjithashtu, e lusim Allahun që të gjithëve të na përmirësoj gjendjen. Së fundi, ai ka shkruar një broshurë në lidhje me këtë temë duke e titulluar: “Tani e pash veten time!” me autor: Shejkh Ebu Abdurr-Rrahman bin ‘Akiil edh-Dhahirij Allahu e ruajt dhe e begatoftë.”

Shpërndaje: