Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A i përkasin teravitë namazit të natës?

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Mexhmu-ul-Fataua (14/189-190)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetja 795: A i përkasin teravitë namazit të natës? Çfarë është sunnet në namazin e natës gjatë Ramazanit? Sa rekate është më e mira që të falen?

Përgjigje: Teravitë i përkasin namazit të natës.

Është sunnet që namazi i natës në Ramazan të falet me xhemat në xhami. Kjo ishte praktika e profetit ﷺ, i cili u fal për tre netë me shokët e tij. Pastaj ai e la këtë praktikë nga frika se mund të bëhej obligim për ta, dhe nuk u fal më me ta.

Më e mira është të falim aq rekate sa ka falur profeti ﷺ.

Kur Aishah -radijAllahu anha- u pyet se si falej profeti ﷺ gjatë Ramazanit, ajo tha:

“Profeti ﷺ si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë, nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate.”

Transmeton Bukhari (1138) dhe Muslimi (764).1

Gjithashtu është transmetuar në mënyrë autentike nga Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- se profeti ﷺ ka falur trembëdhjetë rekate2. Pra numri i rekateve është ose njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë.

Megjithatë, lejohet të falen edhe më shumë rekate. Ajo që është më e rëndësishme është që namazi të falet me qetësi dhe të mos përshpejtohet. Namazlinjtë duhet të kenë mundësi të kryejnë të gjitha pozitat pas imamit. Imami është përgjegjës për ta dhe duhet të kujdeset që të mos i privojë nga qetësia dhe përkushtimi që sjell një namaz më të plotë.


1 Hadithi i plotë:

“Profeti ﷺ si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë, nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato, pastaj falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato, pastaj falte tre rekate.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi. Kjo përmendet në Salat-ut-Tarauih, fq. 20-21 dhe Sahih Ebi Daud (1212).

2 Bukhari (1138) dhe Muslimi (764).

Shih: https://www.perlatmuslimane.com/13-dy-rekatet-pasuese-pas-vitrit/

Shpërndaje: