Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A janë Esharitë nga Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati?

Alameh Muhammed Aman bin Ali el-Xhami (v. 1416)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Po përsërisim këtë në mënyrë që Esharitë ta dëgjojnë këtë, Esharitë të cilët besojnë në domethënien e esencës (qenies) së Allahut, pa tekjif (pa hyrë në mënyrën se si) dhe pa  temthil (pa e krahasuar Allahun me krijesat e Tij). Kur bëhet fjalë për cilësitë e Allahut, ata hutohen. Ata i pohojnë disa cilësi, por kur bëhet fjalë për cilësitë e tjera, ua ndryshojnë kuptimin.

Ata bëjnë dallim mes asaj që Allahu ka bashkuar, kjo është një kontradiktë në të cilën kanë rënë Esharitë. Dhe po fokusohemi tek Esharitë sepse ata janë “komshinjtë” tanë dhe janë në mesin tonë. Ndryshe nga të tjerët sikurse Mutezilitë, që janë larg nesh. Ndërsa Esharitë përbëjnë shumicën në botën Islame.

Ne po flisnim për ta në kuptimin që ata nuk janë të pranishëm, por tani ata janë shfaqur. Unë po flas për librat e tyre, po i paralajmëroj studentët tanë ndaj librave të tyre të cilët tani po shiten në libraritë tona.

Lidhur me Esharitë, mbi të gjitha, ata e quajnë veten Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah ose të paktën se ata janë prej Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit. Kjo është shpifje!

Ata nuk janë nga Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah, por në bazë të asaj që kanë thënë dijetarët e mëdhenj nisur nga njohja që kanë karshi këtij grupi, Esharitë në mesin e ehlul kelamit (atyre që përdorin retorikën filozofike), janë më afër Ehli-Sunnetit dhe Xhematit.

Le ta kuptojë rina jonë këtë në të vërtetë! Esharitë të cilët janë të përhapur në botën Islame, metodologjia e të cilëve mësohet në të gjitha universitetet jashtë këtij vendi (Arabisë Saudite). Në të gjitha universitetet jashtë këtij vendi ku mësohet Islami, mësohet besimi sipas metodologjisë Esharije duke pretenduar se ata janë Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah.

Ndërsa në të vërtetë dhe siç tregon realiteti, sikurse dëshmojnë njerëzit të cilët i njohin mirë ata sikurse autori i këtij shpjegimi (shejkh Khalil Harras) i cili ka thënë se Esharitë në mesin e ehlul kelamit, janë grupi më i afërt me ne, megjithatë ata nuk janë prej Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah.

Kjo fjalë mund të jetë e rëndë (për t’u pranuar)! Ndoshta shumë e rëndë për ata që kanë studiuar besimin Eshari, apo për ata që kanë mendim të mirë për ta ose siç thuhet ndryshe, për ata që i simpatizojnë ata. Kjo është arsyeja pse ne dhamë shembullin për këtë fjalë të rëndë, një shembull të vetëm për atë që është i bindur tek e vërteta dhe të cilit Allahu ia dëshiron të mirën dhe dëshiron t’i japë kuptimin e vërtetë. Unë thashë se Esharitë nuk janë prej Ehli-Sunneh uel-Xhematit. Fjalë e cila është e rëndë dhe e vështirë për t’u pranuar. Por cili është argumenti?

Ti do të pyesësh, por unë do të përgjigjem para se të pyesësh.

Për shembull cilësia e Allahut (subhanehu ue te ala), “El-Ulu (cilësia e të qënurit lart mbi krijesat e Tij).” Cili është qëndrimi i Esharive kur bëhet fjalë për cilësinë e të qenurit lart dhe cili është qëndrimi i tyre rreth bërjes me shenjë (duke bërë me shenjë nga lart, drejt qiellit)?

Nëse e dini përgjigjen, pas kësaj mund të gjykoni vetë para se të më pyesni.

Esharitë në librat e tyre të planprogramit (të studiuar në institucionet e tyre fetare), ku të rinjtë  lexojnë, ata e mësojnë përmendësh frazën e mëposhtme:

“Allahu nuk qëndron mbi arsh.”

Dhe të bësh me shenjë kështu lart, nuk është e lejueshme tek ata.

Sipas Esharive Allahu nuk është mbi arsh, as nuk është poshtë arshit, as nuk është në të djathtë dhe as nuk është në të majtë.

A është ky pohim i Allahut apo mohim i Allahut?

Ky është mohim i Allahut.

Nëse do t’ju kërkohet të përshkruani diçka që nuk është ekzistuese, atëherë nuk do ta përshkruanit atë përveçse në këtë mënyrë. Nuk është lart, as poshtë, as në të djathtë e as në të majtë. Kjo është diçka që nuk ekziston.

Ajo që sapo përmenda gjendet tekstualisht në librin el-Akida-tul-Nesfijjeh nga Ibrahim el-Baxhuri, libër i cili tani ka hyrë dhe shitet në libraritë tona. Nëse nuk mund ta gjeni në Xhedah, atëherë shkoni në Medine dhe mund ta blini atë në librarinë Tajjibeh, shitet atje. Ky libër përmban këtë lloj besimi.

A është ky besimi i Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit?

Përgjigja është jo dhe ka konsensus për këtë!

Tek Ehlus-Sunneti dhe Xhemati cilësia e Allahut, ajo e të qenurit lart mbi arsh është cilësi (dhatije) që i përket qenies së Tij  dhe nuk është cilësi veprore. Kjo cilësi e Tij pohohet nga Kurani, sunneti, natyrshmëria e njeriut dhe intelekti i shëndoshë.

Ajo që është vërtetuar nëpërmjet këtyre argumenteve, atëherë ai i cili e mohon këtë ka bërë kufër, përveç atij personi që justifikohet për shkak të injorancës së tij ose për shkak të një dyshimi.

Unë do të mjaftohem me këtë shembull, duke pasur parasysh se ka shumë dëshmi të tjera nëpërmjet të cilave na bëhet e qartë se Esharitë nuk janë nga Ehlus-Sunneti dhe Xhemati por ata janë më afër me Ehlus-Sunnetin dhe Xhematin.

Atëherë përsëri lind pyetja: Si mund të jenë më afër Ehlu-Sunnetit dhe Xhematit ndërkohë që ata kanë këtë besim të prishur?

Kjo afërsi është krahasuese. Do të thotë, ata janë më afër në krahasim me ata që nuk pohojnë asnjë cilësi të vetme të Allahut siç janë Mutezilitë, pasi Esharitë siç e kemi përmendur, pohojnë cilësitë që kanë kuptim si Kudreti (Allahu është në gjendje të bëjë çdo gjë), Iradah (dëshira), Es-Semi (dëgjon çdo gjë), El-Basir (shikon gjithçka), Ilm (I Gjithëdituri), Hajah (I Përjetshmi) dhe Kelam (fjala).

Dhe në lidhje me Kelamin (fjalën), ekziston diskutim i gjatë (në lidhje me besimin e tyre aktual). Ata janë më afër (në krahasim me të tjerët). Dhe këtë lloj afërsie të Esharive, shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh e përmendi  në më shumë se një vend në librat e tij në të cilat ai luftoi kundër tyre, iu kundërvu atyre, debatoi me ta dhe i bëri të heshtin ata ashtu sikurse i bëri të heshtin sektet e tjera kur ato u shfaqën në Bagdad. Ibn Tejmijeh e shfaqi haptas të vërtetën dhe bëri që menhexhi i selefëve të triumfonte. Ai kishte armiqësi me të gjitha sektet dhe shkroi rreth të gjitha sekteve që u shfaqën.

Dhe kjo është dhunti e Allahut, të cilën Ai ia jep atij që dëshiron. Ky shejkh, ky imam dëshmon se Esharitë në mesin e atyre sekteve që përdorin retorikën filozofike janë më afër Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit e megjithatë ata nuk janë prej Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit sepse ky është besimi i tyre. Edhe nëse ne nuk i quajmë ata Nufaah (ata që i mohojnë plotësisht cilësitë e Allahut), por themi se ata janë Mu’auil-lah (ata që ndryshojnë dhe e shtrembërojnë kuptimin e saktë). Ne bëjmë dallim midis  Nufaah dhe Mu’auil-lah.

Xhehmitë janë nga Nufaah (ata që mohojnë cilësitë e Allahut plotësisht).

Mutezilitë janë nga Nufaah (ata që mohojnë cilësitë e Allahut plotësisht).

Ndërsa Esharitë dhe Maturiditë janë nga Mu’auil-lah (ata që ndryshojnë dhe e shtrembërojnë kuptimin e saktë). Sidoqoftë, si rrjedhojë e ndryshimit të kuptimit të cilësive (teuilit të tyre), rezultati i tyre është gjithashtu mohimi i cilësive të Allahut. Siç e dëgjuat në lidhje me cilësinë e Allahut, El-Ulu (cilësia e të qenurit lart e Tij mbi krijesat e Tij).

Shpërndaje: