Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A ka mundësi që xhini të ndikojë në njeriun?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: “Fetaua Erkanul-Islam”, fq. 97

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “A ka mundësi që xhindi të ndikojë në njeriun? Si është e mundur që të mbrohemi nga xhinët?”

Përgjigje: “Nuk ka dyshim që xhinët mund të kenë ndikim tek njerëzit dhe t’i dëmtojnë ata, madje mund t’u shkaktojnë edhe vdekjen. Ka mundësi që ata ta gjuajnë njeriun me gur e ta dëmtojnë atë në forma të tjera për të cilat gjejmë argument në Sunnet, por edhe nga përditshmëria. Në formë autentike transmetohet se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i ka lejuar disa prej sahabëve që të ktheheshin nga beteja në shtëpi. Në njërën prej betejave që mendoj se është beteja e Hendekut kur njëri prej sahabëve i porsamartuar u kthye në shtëpi, e gjeti gruan e tij duke qëndruar në prag të shtëpisë, ndërsa ky e refuzoi këtë veprim të saj. Ajo i tha atij që të futej njëherë brenda. Kur ai u fut brenda, e gjeti një gjarpër të përdredhur mbi shtrat. Sahabiu me vete kishte një shigjetë me të cilën edhe e mbyti. Në të njëjtën kohë vdiq edhe sahabiu. Të afërmit nuk e dinin a sahabiu kishte vdekur më përpara apo gjarpri kishe ngordhur para tij. Kur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e mori vesh këtë ngjarje, ai ndaloi që të mbytej gjarpri i cili është brenda shtëpisë, përveç gjarprit me dy vija të bardha në shpinë dhe gjarprit të vogël me ngjyrë të gjelbër bishtshkurtër apo i pabisht fare.

Ky është argument se xhinët mund t’i bëjnë dëme njeriut, ashtu siç edhe e vërejmë nga përditshmëria. Ka tregime të shumta të vërteta ku njeriu është gjuajtur me gurë, e që nuk ka qenë askush afër që është menduar se mund ta bëjë këtë. Gjithashtu, njeriu mund të dëgjojë ndonjë zë, ndonjë lëvizje sikurse lëvizje e pemëve nga era e të ngjashme,  nga të cilat mund të frikësohet dhe në këtë rast mund të mos ketë asnjë arsye pamore që këto gjëra të ndodhin, por në realitet këto vijnë nga xhinët.

Xhini mund të futet edhe në trupin e njeriut për shkak të dashurisë që ka ndaj tij, ose me arsyen që ta dëmtojë atë, apo për ndonjë shkak tjetër. Për këtë kemi argument fjalët e Allahut (te’ala):

الَّذِينَ يَأْكُلُونَ الرِّبَا لاَ يَقُومُونَ إِلاَّ كَمَا يَقُومُ الَّذِي يَتَخَبَّطُهُ الشَّيْطَانُ مِنَ الْمَسِّ

“Ata që marrin kamatën, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet.” 1

Në këtë rast, xhindi mund të flasë nga brendësija e njeriut, ai i flet atij që i bën rukje. Në këtë aspekt ka informacione të shumta nga ngjarje të vërteta të cilat njerëzit i kanë përjetuar dhe i kanë parë me sytë e tyre. Të mbrojturit nga e keqja e tyre është sipas asaj që ka ardhur në Sunnet, ashtu që xhindi ikën e largohet, e një nga gjërat mbrojtëse është të kënduarit e  Ajetul-Kursij, ajet për të cilin në hadith thuhet se kush e lexon atë në mbrëmje, do të jetë i mbrojtur nga Allahu derisa të zgjohet. Dhe Allahu është mbrojtësi dhe ruajtësi më i mirë.


1 El-Bekare 2:275

Shpërndaje: