Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A lejohet falja e namazit të xhenazes brenda varrezave?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: ”A lejohet falja e namazit të xhenazes brenda varrezave?”

Përgjigje: ”Nuk ka të keqe në këtë gjë. Namazi i xhenazes mund të falet brenda varrezave. I njëjti gjykim vlen edhe nëse i vdekuri është varrosur. Ngase, profeti ﷺ ka falur namazin e të vdekurit në varreza pas varrimit të tij.

Dhe, falja e namazit të xhenazes në varreza është sikurse falja e namazit të xhenazes pasi të varroset. Pra, nëse ai futet në varrezë dhe njerëzit ia falin namazin s’ka asgjë të keqe.

Ndalesa vlen për namazet tjera, namazet të cilat kanë ruku’ dhe sexhde. Profeti ﷺ ka thënë:

“Mos u falni në varreza dhe mos qëndroni mbi to.”

“Allahu i mallkoftë Jehuditë dhe të Krishterët të cilët i kanë bërë varret e Profetëve xhamia (vend për adhurim).”

Aishja (radija Allahu ‘anha) në lidhje me këtë, thotë: “Më këtë ai tërheq vërejtjen që të mos veprohet kështu (edhe me varrin e tij).

Në një hadith tjetër thuhet:

“Ata të cilët ishin përpara jush (prej umeteve të mëhershme), i shndërronin varret e profetëve dhe njerëzve të mirë në xhamia ndërsa ju mos i bëni varrezat xhamia ngase unë ua ndaloj një gjë të tillë.”

Pra, nuk bën të falemi në varreza dhe nuk ndërtohet në to xhamia, as kupolë dhe as ndonjë gjë tjetër; as mbi varret e Ehli Bejtëve (pasardhësit e profetit), dijetarëve e as mbi ndonjë varr tjetër. Mund të ngrihet dheu mbi varrë deri në një pëllëmbë nga toka siç ishte bërë varri i profetit ﷺ dhe atë me dheun që ishte hapur vetë varri në gjerësinë e varrit.

Nuk ka të keqe nëse në qoshe vihet pakë zhavorr për ta ruajtur dheun i cili është hedhur mbi varr, apo edhe të stërpiket me ujë (për ta ruajtur dheun). Ndërsa të ndërtohet mbi të kupolë, xhami apo t’i vihen themele të veçanta nuk është e lejuar. Mbi varr nuk duhet ndërtuar asgjë.

Ndërsa kur jemi tek muret që rrethojnë varrezat për t’i ruajtur ato nga mos-kalimi i njerëzve dhe veturave mbi to, nuk ka asgjë të keqe dhe kjo bëhet në emër të mirëmbajtjes së tyre. Mbi varre nuk bën të bëhet asgjë në emër të mbivlerësimit, as kupolë, as ndonjë ndërtim e as xhami. I dërguari ﷺ mallkoi ata të cilët veprojnë në këtë mënyrë.

Prandaj, nuk lejohet për myslimanët që të ndërtojnë mbi asnjë varr, as xhami apo kupolë, qoftë varr i ndonjë prej sahabëve, ehli bejtëve, dijetarëve, apo kryetarëve dhe udhëheqësve shtetërorë dhe nuk duhet të merren si vende të shenjta; -ngase kjo është vepër e ndaluar, pra duhet të largohemi prej gjërave të tilla.”

Shpërndaje: