Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A lejohet festimi i mevludit?

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Fetaua Ulemail-Beledil-Haram, fq. 996-997
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Cili është gjykimi për festimin e ditëlindjes së profetit ?

Përgjigje: Fillimisht duhet ditur se nuk është e sigurt njëqind për qind se kur është dita e lindjes së të dërguarit ﷺ. Në fakt disa nga shkencëtarët bashkëkohorë thonë se ajo ishte data e nëntë e muajit Rabi’ul-Euuel, e jo e dymbëdhjeta. Historikisht kjo tregon se të festuarit e ditës së dymbëdhjetë të Rabi’ul-Euel është krejtësisht e pabazë.

Pastaj sa i përket këndvështrimit të bazuar në Sheriat, ky veprim gjithashtu është i pabazë. Po të ishte ky veprim prej Sheriatit të Allahut, profeti do ta kishte vepruar ose do ta kishte informuar umetin e tij për këtë. Sikurse ai ta kishte vepruar këtë apo ta kishte porositur umetin që ta vepronin këtë, atëherë do të ishte e ruajtur dhe e përcjellë deri tek ne sepse Allahu thotë:

“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe sigurisht Ne do ta ruajmë atë.” El-Hixhr, 15:9

Pasi që kjo gjë nuk u veprua bëhet e qartë se festa në fjalë nuk i përket fesë së Allahut. Nëse kjo nuk i përket fesë së Allahut, nuk është e lejuar për ne që ta adhurojmë Allahun me të dhe të kërkojmë t’i afrohemi Allahut me të. Si mund të jetë e lejueshme për ne si robër që të shpikim rrugë të cilat të themi se kushtimisht se na afrojnë tek Allahu kur Allahu veçse ka ligjësuar rrugën e caktuar e cila na afron tek Ai, pra rrugën me të cilën erdhi i dërguari i Allahut ?! Me veprime të tilla i kundërvihet asaj çfarë i takon Allahut: të ligjësuarit e gjërave në fenë e Tij, duke mos qenë prej saj. Gjithashtu me veprimin e kësaj përgënjeshtrohen fjalët e Allahut:

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush.” El-Maide, 5:3

Nëse kjo festë do të ishte pjesë plotësuese e fesë është e patjetërsueshme që kjo të bëhej para vdekjes së të dërguarit . E në qoftë se nuk është pjesë plotësuese e fesë, atëherë nuk ka mundësi që kjo të jetë prej fesë assesi ngase Allahu thotë:

“Sot jua përsosa fenë tuaj.” 5:3

Nëse dikush pretendon se festimi i mevludit është pjesë plotësuese e fesë edhe pse kjo gjë është shpikur pas vdekjes së profetit , atëherë ky njeri veçse e përgënjeshtron këtë ajet. S’ka dyshim se ata që e festojnë mevludin e bëjnë këtë nga nderimi, dashuria dhe ndjenjat që kanë për profetin ﷺ. Të gjitha ato cilësi janë adhurime, nderimi i profetit është adhurim, dashuria ndaj tij është adhurim, madje nuk plotësohet imani i besimtarit përderisa të mos jetë profeti më i dashur tek ai sesa çdo krijesë tjetër. Ndjenja e dashur ndaj profetit është prej fesë sepse kjo nxitë që t’i kthehesh Sheriatit të Tij. Prandaj për këtë arsye festimi i mevludit konsiderohet të jetë adhurim ngase bëhet për t’iu afruar Allahut dhe për ta nderuar të dërguarin . Pastaj në qoftë se ky është adhurim, absolutisht është e ndaluar që të shpiket diçka që nuk i përket fesë së Allahut, andaj mevludi është bidat dhe veprim i ndaluar.

Pos kësaj ne kemi dëgjuar se në këto festime bëhen mëkate të mëdha të cilat nuk pranohen as nga Sheriati e as nga ndjenja e pastër dhe mendja e shëndoshë. Ata lexojnë vargje në të cilat ekzagjerohet nderimi i të dërguarit aq shumë sa që në disa raste e madhërojnë më shumë se Allahun, Allahu na ruajt. Gjithashtu dëgjojmë se prej budallallëkut të disa festuesve të mevludit ndodh që kur ta lexojnë thënien “lindi Mustafai”, të gjithë ngrihen në këmbë dhe thonë:

“Shpirti i të dërguarit është tani me ne dhe si nderim ne ngrihemi në këmbë për të.”

Kjo është marrëzi e qartë. Shokët e tij kurrë nuk ngriheshin në këmbë për të gjatë gjithë jetës së tij, ata kishin dashurinë dhe nderimin më të fortë për të sesa ne. Kjo nuk është mirësjellje sepse i dërguari e urrente ngritjen në këmbë për të gjatë kohës kur ai ishte gjallë, çfarë të themi për këto mite të shpikura?!

Shpërndaje: