Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Përktheu: Valdet Gashi
Pyetje: A lejohet që zekati të jepet për ndërtimin dhe furnizimin (me gjëra të nevojshme) e xhamive apo jo?
Përgjigje: Nuk lejohet ndërtimi i xhamive me para të zekatit sipas shumicës së dijetarëve, madje për këtë ka pasur konsensus të dijetarëve. Por këtë gjë e lejuan të më vonshmit, dhe për këtë nuk ka argument, e sakta është se zekati duhet tu jepet tetë kategorive, dhe këtu nuk bëjnë pjesë ndërtimi i xhamive e as i shkollave, e të ngjashme. Zekati duhet të jepet tetë kategorive të përmendura në thënien e Allahut (xhela ue ala):
”Zekati u takon vetëm: të varfërve (që s’kanë fare), të ngratëve (nevojtarëve), punonjësve (që e tubojnë zekatin), atyre që duhen përfituar zemrat (të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, për ata që janë në borxhe, luftëtarëve në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.” Et-Teube, 9:60
Shumica e dijetarëve kanë thënë se “luftëtarëve në rrugën e Allahut” është për qëllim xhihadi. Kurse disa të më vonshëm kanë thënë se kjo përfshin xhihadin, ndërtimin e xhamive, shkollave dhe të ngjashme prej punëve të hajrit si rregullimi i rrugëve…etj.
Por shumica e dijetarëve besojnë dhe që është më e sakta është se “luftëtarëve në rrugën e Allahut” është për qëllim xhihadi dhe daveti në rrugën e Allahut sepse daveti është prej xhihadit.
Kurse xhamitë, shkollat dhe të ngjashme duhet të ndërtohen prej pasurisë së grumbulluar, nga sadaka vullnetare dhe kontributi i muslimanëve sepse janë në interes të përgjithshëm.