Shejkh Felah bin Ismail
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Më shumë se kaq, disa po thonë se ne kemi parë melaike të cilat kanë zbritur në Sham e Damask. Si i keni parë? Ata thonë, i kemi parë që kishin fytyra të bardha, ishin të veshur në të bardhë, me kuaj të bardhë, me shpata të bardha… mbetën pa thënë që edhe nevoja fiziologjike e kalit ishte e bardhë. Vëllezër, ku janë argumentet (e fesë), ku mbeti akideja (besimi) jonë, ku janë bazat (tek të cilat duhet të kthehemi)?! Kanë humbur, të gjitha kanë humbur?! Vëllezër, ne kemi baza (tek të cilat mbështetemi). Pasha Allahun, melaiket janë pjesë e akides tonë, e cila (akide) thotë se: “Në qoftë se melaiket zbresin, ti nuk i sheh dot.”
Zbritja e melaikeve, ka dy gjendje: Ose zbresin në formën e tyre të cilën ne nuk e njohim (gajb); – që as ti, as babai yt e as gjyshi yt nuk mund t’i shohin. Për çfarë arsye? –Sepse ato i takojnë botës së panjohur (gabit) për ne. Ne kemi botën e fshehur (gajbin) dhe kemi botën e dukshme (që mund ta shohim). Zoti ynë (xhela ue ala) është Ai:
عَالِمَ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ
“…që di të fshehtën dhe të dukshmen,…” 1
Pra, (Ai është) Krijues i të fshehtës dhe i të dukshmes. Ajo që i takon botës së gajbit, nuk ka mundësi të bëhet e njohur. Kjo, është diçka e pamundur, përveç për ndonjë profet. Ti, a je profet?! Pra, nuk ke mundësi t’i shohësh gjërat që janë gajb.
عَالِمُ الْغَيْبِ فَلَايُظْهِرُ عَلَى غَيْبِهِ أَحَدًا إِلَّا مَنِ ارْتَضَى مِن رَّسُولٍ
“Ai është i Gjithëdituri i të fshehtës (gajbit) dhe nuk ia zbulon atë askujt, Përveç ndonjë të Dërguari të cilin Ai e ka zgjedhur.” 2
Ky, është ajet i Kuranit që thotë kështu, ndërsa ti si mund t’i shohësh melaiket? Kjo është gjendja e parë që për ne është botë e panjohur (botë e gajbit). Dhe, pasha Allahun (në këtë gjendje) nuk do t’i shohësh kurrë melaiket. E dini se, Xhibrili kishte ardhur në xhaminë e profetit, kur i kishte thënë: “O Muhamed, thuaj: Amin!” Ndërsa ai u përgjigj me: “Amin.” Kështu, Xhibrili lutej, ndërsa Muhamedi thoshte ‘amin’. A panë diçka sahabët? Jo, në asnjë mënyrë! Ti nuk mund t’i shohësh melaiket, “përveç nëse je më i mirë se sahabët”! Nuk e kishte parë gajbin (Xhibrilin) askush përveç Muhamedit. E nëse melaiket zbresin, ato marrin formën që ti mund ta shohësh. Kur ato marrin ndonjë formë që shihet, atëherë as ti, as babai e as gjyshi yt nuk mund të thotë se atë që e sheh se është melaike! Pasha Allahun, nuk mundesh. Që në fillim (të konfliktit në Siri), ne dëgjuam ato tregime që vinin nga Shami e Damasku të cilat thoshin se melaiket kanë zbritur atje. Si kanë zbritur? Ata thoshin se: ja kjo foto, ja kjo…!!! O njerëz, keni frikë Allahun.
Siç thamë, (për zbritjen e melaikeve) kemi dy gjendje: Gjendja e padukshme (gajb), gjendje në të cilën pasha Allahun melaiket nuk shihen. Nëse, shfaqen në formën në të cilën shihen, – në këtë gjendje askush nuk mund t’i dalloj se janë melaike. Kur Xhibrili erdhi në mesin e sahabëve, Umeri dhe sahabë të tjerë thanë:
“erdhi tek ne një njeri…”
e në realitet kush kishte ardhur? Kishte ardhur Xhibrili, që kishte marrë formën dhe pamjen për t’u parë. (hadithi vazhdon)
“…erdhi një njeri me rroba shumë të bardha, e me flokë shumë të zeza. Nuk e njihnim asnjëri nga ne dhe nuk dukej që kishte asnjë shenjë nga udhëtimi…”
pra, në hadith përmenden të gjitha gjërat që ai njeri i kishte, me të cilat ishin çuditur sahabët. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk mundi të dalloj se ai ishte i dërguar (melaike).
“…ishte ulur dhe kishte vënë duart në kofshët e tij…”
Të gjitha këto ishin gjëra e sjellje të çuditshme, por askush nuk mundi të thotë se ishte melaike. Umeri, kush ishte Umeri! Dhe nuk mundi të thotë se ai ishte prej melaikeve! Kush je ti që të thuash se dikush është prej melaikeve?! Edhe pse, sipas transmetimeve që “ata i kanë parë”: të bardhë, e bardhë… Ata mendojnë se çdo gjë që është e bardhë është melaike. Ka mundësi të ketë qenë edhe shejtan! Kjo është gjëja e parë (që dua të them): të argumentuarit (të gjërave në fe), në të cilën gjithnjë ne thërrasim.
Gjëja e dytë: Pasha Allahun, sikurse melaiket të zbresin (ashtu siç ata pretendojnë) dhe Allahu t’i urdhëronte që ato të zbrisnin në Damask, sot nuk do të kishte as Beshar e as nuk do të ishte babai i tij më herët! Kjo, sepse kur melaiket zbresin, çështja veçse ka marrë fund. Kur melaiket kanë zbritur në luftën e Bedrit, beteja ka marrë fund. Të zbresin melaike dhe Beshari edhe pas gjithë këtyre muajve ende është në pushtet, i gjallë e bën gjithë këto vrasje?! O njerëz, ku është argumentimi i gjërave, ku është mendja e shëndoshë?! Me ëndrrat që ti i sheh, humb argumenti (i fesë)?! Vëllezër, kur do të zgjohemi nga gjumi?!
1 Ez-Zumer 39:46
2 El-Xhin 72:26-27