Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A prishet agjërimi nga marrëdhënia intime?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

6 – Marrëdhënia intime me depërtimin e penisit në vagjinë

Nëse burri ka marrëdhënie intime me gruan e tij gjatë ditës në Ramazan që të dy obligohen të bëjnë shpagim. Shpagimi është që të lirohet një rob besimtar. Nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë obligohen që agjërojnë dy muaj rresht, nëse gruaja bëri marrëdhënie me vetë dëshirë. Nëse ata nuk munden ta bëjnë këtë, atëherë obligohen që t’u japin ushqim 60 njerëzve të varfër. Çdo njëri është i detyruar të japë 30 sa’a, rreth 90 kg, nga ushqimi bazë i atij vendi, 60 njerëzve të varfër. Çdo person i varfër duhet të marrë nga një sa’a, rreth 3 kg, ku burri e jep gjysmën dhe gruaja gjysmën. Kështu është praktika kur ata nuk janë në gjendje për të liruar një rob ose të agjërojnë për dy muaj rresht. Përveç kësaj, ata janë të obliguar që të kompensojnë ditën në të cilën kishin marrëdhënie. Ata gjithashtu duhet të pendohen tek Allahu, duhet të ndiejnë keqardhje, të braktisin veprimet e ngjashme dhe t’i kërkojnë falje Allahut. Marrëdhënia intime gjatë ditës në Ramazan është një mëkat i rëndë. Çdonjëri që është i obliguar të agjërojë nuk duhet të bie në këtë veprim.

Por nëse personi është në udhëtim ose i sëmurë saqë nuk mund të agjërojë, ai nuk është i obliguar të bëjë shpagim. Ky nuk ka bërë asgjë gabim. Ai duhet vetëm të kompensojë ditën në të cilën kishte marrëdhënie sepse është e lejueshme për të sëmurin dhe udhëtarin që të ketë marrëdhënie intime dhe të bëjë gjëra të tjera kur ata nuk janë agjërueshëm.

Allahu (te ala) ka thënë: 

Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” 2:185

Gruaja dhe burri kanë të njëjtin gjykim në këtë rast. Nëse agjërimi i saj është i obliguar ajo është e obliguar që të bëjë shpagimin dhe ta kompensojë atë ditë. Ndërsa nëse ajo është duke udhëtuar apo e sëmurë në mënyrë që agjërimi e mundon atë, ajo nuk duhet të bëj shpagimin.


1 Ebu Daudi (2367), Tirmidhi (774), Ibn Maxheh (1679) dhe Ahmedi (15866). Autentik sipas imam Albanit në ”Irua-ul-Ghalil” (931).

Shpërndaje: