Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Agjërimi është i Imi

Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)

Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 210-213
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Fjalët e Allahut në lidhje me agjërimin: “Ai është i Imi.”

Allahu (azze ue xhel) ia atribuon agjërimin vetes së Tij ndryshe nga veprat e tjera. Dijetarët kanë diskutuar shumë për kuptimin e kësaj fjalie. Dy mendimet më të mira janë:

1 – Agjërimi është lënia e kënaqësive dhe epsheve për hir të Allahut, për të cilat njeriu është i prirë të jepet pas tyre. Këtë gjë nuk e gjejmë askund tjetër përpos tek agjërimi.

Ndërsa njeriu në ihram (kur njeriu është në haxh apo umre), braktis marrëdhëniet seksuale dhe çdo gjë që shpie drejt tyre, mirëpo mbeten disa prej prirjeve për të cilat folëm më herët siç është ushqimi dhe pija. E njëjta gjë vlen edhe me itikafin edhe pse ka të bëj me agjërimin.

Edhe pse njeriu në namaz braktis të gjitha tërheqjet për të cilat është i prirë të jepet pas tyre, por kohëzgjatja e tij nuk është e gjatë. Namazliu nuk ndjen urinë dhe etjen gjatë namazit sepse ka ardhur ndalesë që të falet njeriu kur ushqimi është gati dhe mendja i rri tek ushqimi. Dhe po për të njëjtën arsye ka urdhër që darka të hahet para namazit të jacisë.

Një pjesë e dijetarëve thonë se lejohet për të pirë gjatë namazit nafile. Kështu vepronte Ibnu Zubejri dhe ky është njëri prej mendimeve të imam Ahmedit.

Tek agjërimi është tërësisht e kundërta. Njeriu agjëron tërë ditën në mungesë të gjitha këtyre tërheqjeve edhe pse mendjen e ka tek ato, veçanërisht gjatë ditëve të verës për shkak të nxehtësisë së madhe dhe gjatësisë së ditës. Për këtë shkak është transmetuar agjërimi gjatë verës është prej shenjave të imanit. I dërguari i Allahut ﷺ agjëronte Ramazanin gjatë udhëtimit edhe atëherë kur zhegu ishte i madh ndryshe nga shokët e tij.

Ebud-Derda ka thënë:

“Ishim në udhëtim me të dërguarin e Allahut ﷺ gjatë Ramazanit. Ne vendosnim duart mbi koka për shkak të nxehtit të madh dhe i vetmi i cili agjëroi ishte i dërguari i Allahut ﷺ dhe Abdullah bin Ebi Reuahah.” [1]

Disa nga selefët kanë thënë: “Qoftë i bekuar ai i cili e lë kënaqësinë dhe epshin për një premtim të fshehur të cilin nuk e ka parë.”

Kur agjëruesi është i bindur se kënaqësia e Zotit të tij qëndron në braktisjen e epsheve, ai i jep përparësi kënaqësisë së Zotit përpara epshit të tij. Kështu kënaqësinë ai e arrin në braktisjen e epsheve për hir të Allahut sepse e di se Allahu e sheh, dhe se shpërblimi dhe dënimi i Allahut zënë vend më të rëndësishëm sesa dhënia pas epsheve. Këtë ai e bën vetëm për të realizuar kënaqësinë e Zotit duke i lënë epshet anash. Në fakt besimtari urren që të jepet pas epsheve edhe nëse ai është i vetmuar, më shumë sesa urren të ndiej dhembje dhe të rrahurit.

Prandaj shumica e besimtarëve më shumë preferojnë që t’i rrah dikush se sa të prishin agjërimin pa ndonjë arsyetim, nga bindja se Allahu e urren prishjen e agjërimit në këtë muaj. Andaj është prej shenjave të imanit kur njeriu urren të shfrytëzoj epshin e tij ngase ai është i bindur se Allahu e urren një gjë të tillë.

Disa nga selefët kanë thënë: “Nuk është prej shenjave të dashurisë që të duash diçka që i Dashuri (Allahu) juaj e urren.”

2 – Agjërimi është diçka e fshehtë mes robit dhe Zotit të tij. Askush pos Allahut nuk e di atë sepse agjërimi përbëhet nga nijeti i cili është diçka e fshehur dhe nga braktisja e epsheve që zakonisht shfrytëzohen atëherë kur njeriu është i vetmuar. Prandaj thuhet se engjëjt nuk e shkruajnë atë. E gjithashtu thuhet se agjërimi nuk mund të përbëhet nga syfaqësia. Kështu ka thënë imam Ahmedi dhe disa të tjerë.

Ky shpjegim i dytë, mund të shoqërohet duke ia bashkëngjitur edhe shpjegimin e parë. Nëse një person braktisë atë që kërkon vetvetja vetëm për hir të Allahut kjo gjë tregon se imani i atij personi është i drejtë.

Allahu (te ala) dëshiron që robi i Tij ta adhuroj atë fshehurazi, dhe edhe ata që e duan Atë duan që ta adhurojnë Atë fshehurazi.


[1] Bukhari (1945) dhe Muslimi (1122).

Shpërndaje: