Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Agjërimi gjatë ditëve apo netëve shumë të gjata

Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva

Burimi: Fetvaja nr 1442

Anëtar: Abdullah el-Gudejjan 

Zëvendës Kryetar: Abdurr-Rrazak Afifi  

Kryetar: Abdul-Aziz ibn Abdullah bin Baz 

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Një letër ka ardhur nga shejkh Muhammed Muxhi që shkruan nga Kopenhaga, Danimarkë, dhe tregon se në disa pjesë të vendeve skandinave dita është shumë më e gjatë se sa nata në disa kohë gjatë vitit, dhe se nata mund të jetë p.sh. vetëm 3 orë dhe dita 21 orë. Ai gjithashtu përmend se kur Ramazani ndodh gjatë dimrit ata agjërojnë vetëm 3 orë, dhe kur Ramazani është gjatë verës ata nuk agjërojnë sepse nuk janë në gjendje të agjërojnë kaq gjatë. Për këtë arsye shejkhu ka kërkuar që një komitet fetar të specifikojë se gjatë cilave kohë duhet të agjërohet dhe se sa mund të zgjatë agjërimi gjatë Ramazanit në mënyrë që të publikojnë këtë fetva në këto vende.

Përgjigje: Sheriati Islam është i përsosur dhe gjithëpërfshirës.

”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” el-Maideh: 3

Thuaj: ”Cila është dëshmia më e madhe? Thuaj: Allahu është dëshmitar midis meje dhe jush. Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet.” el-En’am:19

”Ne të kemi dërguar ty (o Muhammed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin por shumica e njerëzve nuk dinë.” Sebe:28

 Allahu ju ka thënë besimtarëve se agjërimi është i detyrueshëm kur Ai tha:

”O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” El-Bekare:183

 Dhe ka treguar se kur fillon agjërimi dhe kur prishet agjërimi:

”Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” El-Bekare:187

Allahu nuk e ka kufizuar këtë obligim për një vend të veçantë ose për disa njerëz të veçantë por për të gjithë njerëzit, dhe personi që ka pyetur për këtë edhe ai përfshihet në këtë. Por Allahu është i Butë me robërit e vet dhe ka ligjëruar gjërat në mënyrë që t’ua lehtësojë obligimet atyre. Për shembull, Ai ka vendosur se nuk duhet agjëruar kur personi është në udhëtim apo i sëmurë sepse kjo është e vështirë për ta.

Allahu thotë:

”Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë)aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” El-Bekare:185

Kushdo që është në Ramazan, prej atyre që e kanë obligim Ramazanin janë të detyruar të agjërojnë pavarësisht nga gjatësia e ditës. Në qoftë se personi nuk është në gjendje të përfundojë agjërimin e tij dhe ka frikë për shëndetin e tij apo për jetën e tij atëherë është e lejueshme që ta prishë agjërimin e tij, dhe ta kompensojë në ditët e tjera të mundshme.

Shpërndaje: