Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Agjërimi i gruas shtatzënë dhe asaj gjidhënëse

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Irua-ul-Ghalil (4/19-20)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Et-Tabari (2758) transmetoi nga Abdeh (Ibn Sulejman el-Kul-labi), nga Se’id bin Ebi Arubeh, nga Ibn Abbasi i cili tha:

“Nëse gruaja shtatzëne ka frikë për veten e saj, dhe gruaja gjidhënëse ka frikë për fëmijën e saj në Ramazan, ato nuk agjërojnë dhe në vend të kësaj ushqejnë një të varfër për çdo ditë. Ato nuk duhet të kompensojnë agjërimin.”

Zinxhiri i transmetimit është autentik sipas Muslimit.

Ai transmetoi me zinxhir të njëjtë të transmetimit nga Ibn Abbasi:

“Ai e pa se robëresha e tij ishte shtatzënë ose ishte gjidhënëse, dhe tha: “Ti ke të njëjtin gjykim si ata që nuk munden të agjërojnë. Sigurohu që të ushqesh një të varfër që korrespondon me numrin e ditëve (që nuk i ke agjëruar). Ti nuk ke nevojë të përsëritësh ditët (që nuk i ke agjëruar).”

Ai (2761) shtoi nëpërmjet Se’idit, nga Ibn Abbasi i cili tha:

“Kjo vlen nëse ajo ka frikë për veten e saj.”

Transmetuar nga ed-Darakutni (250) përmes Rauh, nga Se’idi, prej tij:

“Ti i përket atyre që nuk munden të agjërojnë. Ti je e obliguar vetëm të paguash dhe jo të kompensosh ditët.”

Ed-Darakutni tha:

“Zinxhiri i transmetimit është autentik.”

Pastaj ai transmetoi përmes Ejubit, nga Se’id bin Xhubejr, nga Ibn Abbasi dhe Ibn Umeri të cilët thanë:

“Gruaja shtatzënë dhe ajo që i jep gji fëmijës nuk duhet të agjërojnë dhe nuk duhet të kompensojnë ditët.”

Ai tha:

“Zinxhiri i transmetimit është autentik.”

Ibn Xheriri (2760) gjithashtu e transmetoi atë përmes Ali bin Thabit, nga Nafi, nga Ibn Umeri, i cili tha të njëjtën gjë për gruan shtatzënë dhe atë që i jep gji fëmijës sikurse Ibn Abbasi. Zinxhiri i transmetimit është autentik. Ed-Darakutni transmetoi përmes Ejubit, nga Nafi, ​​nga Ibn Umeri:

“Gruaja e tij shtatzënë e pyeti atë pas së cilës ai tha: “Mos agjëro. Në vend të kësaj, ushqeje një të varfër për çdo ditë dhe mos e kompenso agjërimin.”

Zinxhiri i transmetimit është i mirë. Ai transmetoi përmes Ubejdullahit, nga Nafi i cili tha:

“Vajza e Ibn Umerit u martua me një burrë nga Kurejshët. Ajo ishte shtatzënë dhe e kapi etja gjatë Ramazanit. Rrjedhimisht, Ibn Umeri e urdhëroi atë që të prishte agjërimin dhe në vend të kësaj të ushqejë një të varfër për çdo ditë.”

Zinxhiri i transmetimit është autentik.

Shpërndaje: