Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Fataua Xhudah (25)
Përktheu: Valdet Gashi
Pyetje: Kam lexuar në librin Selim el-Hilalit ”Sifatu Saum-in-Nebij ﷺ fi Ramadani” se gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse e cila ka frikë për veten apo foshnjën e saj duhet të mos agjërojë dhe vetëm t’i jap ushqim njerëzve të varfër për çdo ditë që ajo nuk agjëron dhe ajo nuk ka nevojë t’i kompensojë ato ditë. Sa e vërtetë është kjo?
Përgjigje: Ajo nuk ka nevojë t’i kompensojë ditët e humbura. Ajo është e obliguar që vetëm t’i jap ushqim njerëzve të varfër për çdo ditë që ajo nuk agjëron. Kjo është e saktë.
Sa i përket kushtit që ajo duhet të ketë frikë për veten apo për embrionin e saj, kjo është vetëm një ixhtihad nga disa dijetarë që as gruaja shtatzënë, e as ajo gjidhënëse nuk ka nevojë ta marrë në konsideratë.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe nga gjysma e namazit, dhe e ka liruar nga agjërimi shtatzënën dhe gjidhënësen.”
Tirmidhi (715), Nesai (2275), Ibn Maxheh (1667) dhe Ahmedi (20341).
Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) tha kur ai shpjegoi fjalët e Allahut (azze ue xhel):
”Por nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar (e nuk agjëroi), le të agjërojë më vonë aq ditë. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” El-Bekare, 2:184
”Gruaja shtatzënë dhe gjithënëse është e detyruar që vetëm të jap ushqim.”
Asnjë kusht nuk u përmend që ajo duhet të frikësohet për veten e saj apo për embrionin. Të gjitha gratë shtatzëna dhe gjidhënëse ju lejohet që të mos agjërojnë dhe t’i japin ushqim një personi të varfër për çdo ditë. Ato nuk janë të obliguara që t’i kompensojnë këto ditë më vonë. Ato vetëm duhet tu japin ushqim të varfërve.