Imam Muslim bin el-Haxhxhaxh en-Nisaburi
Burimi: Sahih Muslim (1163)
Shpjegon: Hafidh Jahja bin Sharaf en-Neueui
Burimi: Sherh Sahih Muslim (8/44-45)
Dar el-Kutub el-Ilmijjeh, 1421/2000
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1163 – Transmeton Ebu Hurejra (raidijAllahu anhu) i cili ka thënë: I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Agjërimi më i mirë pas Ramazanit, është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem. Namazi më i mirë pas namazeve farz është namazi i natës.“
Transmeton Ebu Hurejra (radija Allahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ është pyetur se cili është namazi më i mirë pas namazeve farz dhe cili është agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit? Ai tha:
“Namazi më i mirë pas namazeve farz është namazi në mesin e natës. Ndërsa agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem.”
Shpjegimi:
“Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem”
Këtu kemi argument të qartë se muaji Muharrem është muaji më i mirë i agjërimit nafile. Është shpjeguar se pse i dërguari ﷺ shpeshherë agjëronte gjatë muajit Sha’ban ndryshe nga muaji Muharrem.
Për këtë gjë, kemi përmendur dy arsye kryesore:
1 – Ai mund të ketë mësuar për vlerën e agjërimit të muajit Muharrem në fund të jetës së tij.
2 – Ai mund të mos ketë agjëruar në Muharrem për shkaqe të ndryshme si: udhëtimi, sëmundjet etj.
“Namazi më i mirë pas namazeve farz është namazi i natës.“
Këtu kemi argument të qartë, gjithashtu edhe dijetarët kanë konsensus se namazi vullnetar i natës është më i mirë se namazet vullnetare gjatë ditës. Kjo është dëshmi për kolegun tonë, Ebu Is’hak el-Maruezi dhe ata që pajtohen me të se namazi i natës është më i mirë se namazet vullnetare gjatë ditës. Pjesa më e madhe e kolegëve tanë (Shafiitë) thonë se namazet vullnetare të ditës janë më të mira se namazi i natës për shkak se namazet vullnetare të ditës janë të ngjashme me namazet farz.
Ndërsa mendimi i parë është më i fortë dhe përputhet me hadithin e lartpërmendur. Allahu e di më së miri.