Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Dëshiroj të theksoj diçka në lidhje me hadithin të cilin e gjejmë tek Ebu Davudi, se Profeti (sal Allahu aleji ue selem) ka thënë:
“Mos agjëroni ditën e shtunë, përveç nëse është e detyrueshme për ju, e nëse ndokush prej jush nuk ka çfarë për të ngrënë përveç lëvores së drurit atëherë le ta përtypë atë.”
Në lidhje me këtë hadith, Ebu Davudi ka thënë se, Maliku (Allahu e mëshiroftë) – d.m.th. Malik bin Enes,- ka thënë: ‘Ky hadith është i rrejshëm.’ Do të thotë se, është i shpifur dhe se nuk është hadith i të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem). Realisht, kush e studion këtë hadith, gjen se ka kundërthënie në zinxhirin e tij. Ndërsa në tekstin e tij ka anomali dhe jo qartësi. Për problemin që e theksuam në zinxhirin e tij, kanë folur dijetarët dhe kush dëshiron të dijë më tepër, atëherë le të lexoj në lidhje me të.
E kur e kemi fjalën për anomali dhe paqartësi në tekstin e tij; transmetohet një hadith autentik që gjendet tek Sahihu i Buhariut se
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) shkoi tek Xhuvejrije bint Harith (në ditën e xhuma) dhe ajo i tha: “Jam duke agjëruar”.
Kurse ai i tha: “A ke agjëruar dje?”
Ajo i tha: “Jo.”
Ai i tha: “A do të agjërosh nesër?”
Ajo tha: “Jo.”
Kurse ai i tha: ”Atëherë duhet ta prishësh agjërimin.”
Është e ditur se dita që vije pas ditës së Xhuma është dita e shtunë. Dhe kjo është thënia e të Dërguarit të Allahut që e transmeton Buhariu, që aludon në lejimin e të agjëruarit të ditës së shtunë.
Gjithashtu, e gjejmë në koleksionet e Suneneve se Umu Seleme (radja Allahu anha) është pyetur se cilat ditë agjëronte më së shumti Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) dhe ajo është përgjigjur: “Ditën e shtunë dhe të diele.”
Pra, siç e shohim përmes Sunnetit të të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) nëpërmjet fjalëve dhe veprave të tij se, agjërimi i ditës së shtunë nuk është i ndaluar. Dijetarët kanë kundërshtime rreth vënies në praktikë të këtij hadithi. Disa thonë se, në asnjë formë nuk mund të punohet me këtë hadith dhe të agjëruarit e ditës së shtunë nuk ka asnjë të keqe, pa e marrë parasysh se agjërohet si e vetme apo e shoqëruar me ditën para apo prapa saj. Kjo, sepse hadithi nuk është i saktë dhe mbi hadithe të tilla, nuk ndërtohen gjykime të sheriatit islam.
Disa prej dijetarëve e konsiderojnë hadithin autentik apo të mirë, dhe thonë se mund të bashkohet ky hadith me hadithet tjera duke thënë se, ndalohet të veçuarit e ditës së shtunë për ta agjëruar. D.m.th. se ndalohet të agjërohet si e vetme, e pa shoqëruar me agjërimin e ditës së xhuma apo të diele.
Ky është edhe mendimi i Imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë). Dhe thotë: “Nëse me ditën e shtunë e agjëron edhe ndonjë ditë tjetër, atëherë nuk ka asgjë të keqe në të.” Pra të agjëroj së bashku me ditën e shtunë, ditën e xhuma apo të diele.
Gjithashtu themi se, nëse dita e shtunë koincidon me ndonjë ditë të cilën agjërimi është i preferuar, për shembull: Ditën e Arafatit, apo dita e dhjetë e muajit Muharrem (dita e Ashureve), atëherë agjërimi në këtë ditë të shtune nuk është mekruh. Sepse edhe po të jetë mekruh, është atëherë kur të agjërohet dita e shtunë sepse është e tillë jo për shkak të koincidencës me ndonjë ditë të cilën agjërimi është i preferuar. Këtë të fundit, e theksuam sepse kam dëgjuar nga disa vëllezër se kur dikush ka agjëruar ditën e shtunë për shkak se ishte edhe dita e Arafatit, ata i kishin urdhëruar që ta prishin agjërimin.
Në të vërtetë, personi i tillë ka gjykuar si i pavarur, por jo secili që gjykon ia ka qëlluar.