Agjërimin i Ditës së Ashures
Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’if-ul-Ma’arif, faqe. 68-72
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Agjërimi i ditës së Ashures (d.m.th ditën e dhjetë të muajit Muharrem) nga profeti ﷺ kaloi nëpër katër faza:
E para: Ai e kishte zakon të agjëronte atë ditë në Meke, por pa i urdhëruar njerëzit që të agjërojnë. Bukhari dhe Muslimi transmetojnë nga Aishah (radija Allahu anha) e cila ka thënë:
“Ashura ishte ditë që Kurejshitët e kishin zakon ta agjëronin që nga periudha e injorancës. Këtë e bënte edhe profeti ﷺ. Kur mbërriti në Medine, ai vazhdojë ta agjërojë atë, por i kishte urdhëruar edhe njerëzit që të agjërojnë. Kur agjërimi i Ramazanit u bë obligim, ai filloi të agjëronte atë në vend të ditës së Ashures. Kushdo që dëshironte i lejohej të agjëronte e kush nuk dëshironte nuk agjëronte.” Bukhari (2002) dhe Muslimi (1126).
E dyta: Kur profeti ﷺ) mbërriti në Medine dhe pa se si çifutët e agjëronin dhe e respektonin ketë ditë, ai e agjëronte atë dhe i urdhëroi njerëzit për të njëjtën gjë. Agjërimi ishte aq i preferuar, sa që ata i shtynin edhe fëmijët të agjëronin.
Ibn Abbasi (radija Allahu anhu) ka thënë:
”Kur i dërguari i Allahut erdhi në Medine, i gjeti çifutët duke agjëruar ‘Ditën e Ashures’. I dërguari i Allahut ﷺ u tha atyre: ”Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” Ata thanë: ”Kjo është një ditë madhështore. Në këtë ditë Allahu shpëtoi Musain me popullin e tij dhe e fundosi Faraonin së bashku me popullin e tij. Musai (alejhi-selam) e agjëronte këtë ditë si shenjë falënderimi dhe ne tani e agjërojmë këtë ditë.” Atëherë i dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Ne kemi më shumë të drejtë në Musain se sa ju dhe ne jemi më afër tij se sa ju.” Si rezultat i kësaj, i dërguari i Allahut ﷺ e agjëronte këtë ditë dhe i urdhëroi njerëzit që ta agjërojnë.”Bukhari (2004) dhe Muslimi (1130).
Dijetarët nuk janë të pajtuar se a ishte agjërimi i ”Ditës së Ashures” i detyrueshëm apo i rekomanduar; e gjithë kjo para obligimit të Ramzanit. Ebu Hanife është i mendimit se agjërimi ishte i detyrueshëm në atë kohë. Ky është gjithashtu mendimi i Imam Ahmedit dhe i Ebu Bakr el-Athremit. Shafiu ka thënë se, të agjëruarit e ditës së Ashures ishte i preferuar dhe jo i detyrueshëm. Këtë mendim e kanë shumë nga kolegët tanë dhe të tjerët.
E treta: Pasi u obliguar agjërimi i Ramazanit, profeti ﷺ nuk i urdhëronte më sahabët që të agjëronin këtë ditë dhe nuk i jepte aq rëndësi si më parë, gjë e cila u përmend në hadithin e Aishes (radija Allahu anha) të cilin e theksuam më lartë.
E katërta: Në fund të jetës së tij, profeti ﷺ vendosi që të mos e agjërojë Ditën e Ashures pa agjëruar një ditë me të për tu dalluar nga ithtarët e Librit.
Ibn Abasi (radija Allahu anhu) ka thënë:
”Kur i dërguari i Allahut ﷺ agjëronte Ditën e Ashures dhe urdhëroi shokët e tij për të bërë këtë, ata thanë: ”O i dërguari i Allahut, kjo ditë madhërohet nga çifutët dhe nasarat (të krishterët).” Profeti ﷺ tha: ”Vitin e ardhshëm, nëse Allahu dëshiron ne do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë.” Por i dërguari i Allahut ﷺ vdiq para se të vjen kjo ditë. Muslimi (1134).
Prej atyre që mendojnë se duhet agjëruar ditën e nëntë dhe të dhjetë (të muajit Muharrem) është Shafiu, Ahmedi dhe Is’hak bin Rahojah; ndërsa Ebu Hanife ishte i mendimit se duhet agjëruar vetëm ditën e dhjetë.
- april 18, 2016
- Comments are off