Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: http://alfawzan.af.org.sa/node/7399
Përktheu: Valdet Gashi
Pyetje: Unë jetoj në Krakov, Poloni. Vitin e kaluar ne agjëruam Ramazanin elhamduliLah, por ne kemi agjëruar sipas orarit të vendit tonë Irakut pasi që orari ynë në Poloni është më i hershëm pasi që ne fillojnë agjërimin më herët dhe e ndërpresim atë më herët. Ne kemi agjëruar kështu katër ditë deri sa vërejtëm ndryshim e orareve. Pastaj kemi filluar të agjërojmë sipas orarit të Polonisë. Cili është gjykimi për aktin tonë të parë dhe me çka jemi të obliguar?
Përgjigje: Ata duhet të veprojnë sipas orarit të vendit ku gjenden. Ata duhet të fillojnë agjërimin kur të agojë dhe ta ndërpresin atë kur dielli perëndon në vendin ku ata gjenden.
Allahu (te ala) ka thënë:
وَكُلُواْ وَاشْرَبُواْ حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ ثُمَّ أَتِمُّواْ الصِّيَامَ إِلَى الَّليْلِ
”Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” El-Bekare, 2:187
Kjo vlen për të gjithë muslimanët që jetojnë në vende që kanë agim dhe muzg. Duhet agjëruar në mes të këtyre dy kohëve.
Lidhur me veprimin e tyre të parë kur ata agjëruan sipas orarit të një vendi që dallon nga vendndodhja e tyre, ky është një gabim. Ata duhet t’i kompensojnë ato ditë të cilat i agjëruan në këtë mënyrë. Ato ditë janë të pavlefshme dhe nuk përputhen me sheriatin. Nëse fillon Ramazani i ardhshëm para se ata t’i kenë kompensuar këto ditë, ata duhet t’i kompensojnë ato ma vonë dhe duhet të paguajnë dëmshpërblim në formën e dhënies ushqim të varfërve për çdo ditë që ata duhet ta kompensojnë.