Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Agjëruesi përjeton dy gëzime

Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)

Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 215-216

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com 

Profeti ka thënë:

“Agjëruesi përjetojnë dy gëzime; një herë kur bën iftar, dhe një herë kur do të takohet me Zotin e tij.”

Lidhur me gëzimin kur ai bën iftar, shpirtrat janë të krijuar që të kenë anim tek ato gjëra që e kënaqin atë, si ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet seksuale. Kur atyre u ndalohen ato për një kohë të caktuar dhe pastaj i lejohen ato përsëri, shpirtrat gëzohen për këtë. Kjo është veçanërisht kur kanë nevojë për diçka. Padyshim se shpirtrat gëzohen për këtë. Nëse kjo është e dashur nga Allahu, atëherë është e pëlqyer nga sheriati dhe kjo është mu ajo që agjëruesi përjeton kur ai do të bëjë iftar. Ashtu sikurse Allahu i ka ndaluar këto epshe gjatë ditës, Ai i ka lejuar ato gjatë natës dhe jo vetëm kaq, Ai gjithashtu do që iftari të bëhet menjëherë dhe syfyri të shtyhet deri në fund. Robërit që Allahu i do më së shumti janë ata që bëjnë iftar në fillim të  kohës1. Pos kësaj, Allahu i lavdëron ata që hanë syfyr ndërsa engjëjt kërkojnë falje për ta.

Agjëruesi i braktis epshet e tij gjatë ditës për hir të Allahut dhe për t’iu bindur Atij, dhe për t’iu afruar Atij. Gjatë natës ai nxiton drejt tyre për t’iu afruar Allahut më shumë dhe për t’iu bindur Atij. Prandaj ai i braktis ato për hir të urdhrit të Zotit të tij në të njëjtën mënyrë sikurse ai i kthehet atyre për hir të urdhrit të Zotit të tij. Në këtë mënyrë ai i bindet Zotit të tij në të dy gjendjet. Prandaj është e ndaluar për të agjëruar në mënyrë të vazhdueshme.

Kur agjëruesi ngutet për të prishur agjërimin në mënyrë që t’i afrohet Zotit të tij dhe ha e pi, e pastaj e lavdëron Allahun, shpresohet që ai të arrin faljen dhe kënaqësinë. Hadithi thotë:

“Allahu është me të vërtetë i kënaqur me robin e Tij, i cili ha dhe e lavdëron Atë për këtë, dhe pi dhe e lavdëron Atë për këtë.”

Ndoshta lutja e tij pranohet në atë kohë, sikurse është transmetuar në hadithin e Ibn Maxhes:

“Duaja e agjëruesit në kohën e iftarit është e pranuar.” 2

Nëse ai përveç kësaj, së bashku me ushqimin dhe pijen e tij, e ka për qëllim që të forcojë trupin për namaz dhe agjërim, ai shpërblehet për të. Në mënyrë të ngjashme ai shpërblehet për gjumin e tij gjatë natës dhe ditës, nëse ai ka për qëllim forcën për të vepruar.

Sa për gëzimin kur ai takohet me Zotin e tij, kjo ndodhë kur ai e sheh se çfarë shpërblimi e pret atë për shkak se ai agjëroi. Ai do ta gjejë atë kur ka nevojë më së shumti për të. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

”Sepse, çdo të mirë që e përgatitni ju për vete më parë, do ta gjeni te Allahu më të mirë dhe (do të keni) shpërblim më të madh.” 3

Isa bin Merjem ka thënë:

“Nata dhe dita janë dy depo; prandaj shikoni se çka po vendosni në to. Ditët janë depot e njerëzve në të cilat ata vendosin mirësitë dhe të këqijat. Në ditën e gjykimit këto depo do t’u hapen njerëzve të tyre. Të devotshmit do të gjejnë lavdinë dhe nderin kurse mëkatarët do të gjejnë humbje dhe keqardhje.”


1 Tirmidhi (700), Ahmedi (8342), Ibn Hibani (885) dhe Ibn Khuzejmeh (2062).

2 Ibn Maxheh (1753), hadithi është i dobët sipas Imam Albanit.

3 73:20

Shpërndaje: