Imam Ali bin Sultan el-Kari el-Hanefi (v.1014)
Burimi: Shemmul-´Auarid fi Dhemmirr-Rrauafid, fq. 27
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Asnjë prej dijetarëve nuk kanë bërë tekfir mbi ata që e vranë Uthman bin Afanin dhe Ali bin Ebi Talibin radijAllahu anhuma. Vetëm Rafidat kanë bërë tekfir mbi vrasësin e Aliut, e ndërsa Hauarixhët mbi vrasësin e Uthmanit.
Sa për atë që akuzon Aishen për kurvëri, ka konsensus se personi i tillë është kafir,sepse ai kundërshton ajetet e qarta, të cilat padyshim e pastrojnë atë nga ky veprim [1]. E njëjta gjë vlen edhe për ata të cilët mohojnë se Ebu Bekr es-Sidiku radijallahu anhu ishte sahabi, sepse ky mohon atë që Allahu e ka shprehur qartazi në Librin e Tij, kur Ai ka thënë:
إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لاَ تَحْزَنْ إِنَّ اللّهَ مَعَنَا
“… e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne”!” 9:40
______________________________
[1] Autori ka për qëllim ajetet e Suretu Nur, ajete të cilat kanë zbritur pikërisht për shpifjen që mynafikët bënë ndaj nënës së besimtarëve, Aishes radijallahu anha. Ndër ato ajete që zbritën për pastërtinë e saj, janë fjalët e Allahut: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?! Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë. Allahu ju shpjegon shpalljet; se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm. Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.”