Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Ai që mediton (rreth krijimtarisë së Allahut), nxjerr mësime nga çdo gjë!

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: “Feuaid minet-Tefsir”, faqe 37-38
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Allahu te ala ka thënë:

وَإِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ لاَّ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الرَّحْمَنُ الرَّحِيمُ

”’Dhe i Adhuruari juaj është i Adhuruar i Vetëm, nuk ka të adhuruar me të drejtë përvec Tij, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!”2:163

Ky ajet dëshmon se vetëm Allahu meriton të adhurohet, se Ai është Zoti i Fuqishëm që furnizon dhe pengon nga furnizimi, se Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti, se Ai është Pronar i çdo gjëje, se në dorën e Tij janë jetët e të gjitha krijesave dhe se adhurimi është e drejtë vetëm e Tij Subhanehu ue Te’ala. Kështu, Ai e përmendi atë që provon ekzistencën dhe sundimin e Tij, dhe tha:

إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاخْتِلاَفِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ وَالْفُلْكِ الَّتِي تَجْرِي فِي الْبَحْرِ بِمَا يَنفَعُ النَّاسَ وَمَا أَنزَلَ اللّهُ مِنَ السَّمَاء مِن مَّاء فَأَحْيَا بِهِ الأرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَا وَبَثَّ فِيهَا مِن كُلِّ دَآبَّةٍ وَتَصْرِيفِ الرِّيَاحِ وَالسَّحَابِ الْمُسَخِّرِ بَيْنَ السَّمَاء وَالأَرْضِ لآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَعْقِلُونَ

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” 2:164

Në këtë ajet kuranor, Allahu Xhele ue ‘Ala përmend disa faktorë që provojnë aftësitë e Tij madhështore duke përfshirë edhe ndërrimin e natës me ditën, krijimin e qiejve e të tokës dhe anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve nga furnizimi dhe nevoja të tjera. E gjithë kjo i takon dhuntive dhe mirësive të Tij.

Ai që krijoi qiejt dhe tokën, bën lëvizjet e natës dhe ditës, ankoroi të gjitha mjetet e transportit sikurse anijet dhe të tjera në det, ka bërë që aeroplanët të ngriten në qiell dhe të qëndrojnë lart, e i ka furnizuar njerëzit me të gjitha llojet e mjeteve të transportit – gjithë kjo dëshmon se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet, se Ai është i Gjithëdijshmi Krijues dhe se Ai ka çdo gjë në fuqinë e Tij!

Ai është që përcakton lëvizjet e erërave dhe lëvizjen e reve të cilat gjenden ndërmjet qiellit dhe tokës. Ai është Allahu, i Cili i ka bërë kafshët që të jetojnë në tokë me të gjitha llojet e tyre. Allahu është Ai që i ka krijuar të gjitha llojet e mineraleve, maleve, lumenjtë dhe detet. Të gjitha këto dëshmojnë për aftësinë e Tij të madhe, se Ai është Zoti i krijesave dhe Ai është i Gjithëdijshmi, Krijuesi.

Për këtë arsye, besimtarët duhet të reflektojnë e të mos harrojnë për asnjë moment madhështinë e krijimtarisë së Allahut dhe dëshmitë që ato bartin. Dëshmi të cilat aludojnë qartazi për Madhështinë dhe Madhërinë e Tij Subhaneh. Njeriu në çdo kohë duhet të ketë përballë Librin e Allahut dhe të gjitha gjykimet që i bartë ai. Me të vërtetë, në to ka dëshmi për Urtësinë madhështore të Allahut dhe diturinë e gjerë të Tij, dhe se Ai Subhaneh ka ligjësuar për robërit e Tij vetëm atë që është në favor e në shpëtimin e tyre, atë që është në favor për moralin e pastër në marrëdhënie ndaj Zotit dhe të njerëzve ndërmjet vete.

Çdokush që mendon dhe reflekton në krijimtarinë e Allahut, do të nxjerrë mësime dhe do të fitoj dobi kolosale, që e rregullojnë shëndetin e zemrës dhe përmirësimin e veprave të tij. Disa nga Selefët kanë thënë: “Ai që mediton (rreth krijimtarisë së Allahut), nxjerr mësime nga çdo gjë!”

Shpërndaje: