Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Silsilat-ul-Huda Uen-Nur (1004)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ju në vendin tuaj (në Arabin Saudite) duhet të jeni mirënjohës për dhuratën e Allahut ndaj jush: teuhidi dhe thirrja e shejkh Muhamed bin Abdil-Uehabit, e cila ka përfshirë të gjithë vendin me mirësi. Një pjesë e kësaj drite të begatë ka arritur edhe në disa vende të tjera por nuk i ka përfshirë ato plotësisht. Një shembull është Egjipti. Ndoshta ti ke qenë shpesh në Egjipt dhe e di mirë çfarë idhujtarie praktikohet tek varri i Husejnit, tek varri i Zejnebit e të ngjashme. Siria gjithashtu është e ngjashme me Egjiptin.
Ajo që dua të them është kjo: ata që i luten dikujt tjetër përveç Allahut për ndihmë nuk e kanë njohur thirrjen e Islamit. Ti mund të habitesh me këtë që po them, por:
”Betohem për Zotin e qiellit dhe të tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj.” Edh-Dharijat, 51:23
Këta njerëz nuk e njohin Islamin. Unë vetë kam takuar shumë mashajikh atje. Një herë udhëtuam nga Idlibi për në Latakia. Kur erdhi koha e xhumasë u ndalëm në një fshat dhe morëm pjesë në hytben e xhumasë. Hatibi ishte i verbër ose gati i verbër. Pas namazit, ai na ftoi në dhomën e tij në xhami dhe filluam të bisedonim rreth davetit. Papritur, ai tha se është e lejueshme të kërkosh ndihmë nga Abdul-Kadir El-Xhilani apo nga njerëz të tjerë të mirë. Unë e qortova për këtë dhe i thash se atyre që iu luten nuk dëgjojnë, dhe edhe sikur të dëgjonin nuk do të mund t’ju përgjigjeshin.
E pyeta: “Si mund të jetë kjo e lejuar?”
Ai u përgjigj: “Nuk ka asnjë të keqe në këtë.”
Më kujtohet qartë si e pyeta: “Cili është dallimi mes të luturit tek këta që nuk dëgjojnë e nuk përgjigjen dhe tek një statujë bakri? A del nga feja ai që i lutet një statuje?”
Ai tha: “Po, ai del nga feja.”
Atëherë i thashë: Cili është dallimi mes tyre, kur asnjëri nuk dëgjon?
Këta njerëz kanë një akide të devijuar. Ata nuk kanë një thirrje gjithëpërfshirëse që t’i arrijë të gjithë njerëzit siç ka ndodhur tek ju. Prandaj unë nuk e konsideroj të lejuar që të krahasohen vendet Islamike me vendin tuaj. Thirrja e teuhidit tek ju arriti me mirësinë e Allahut së pari, pastaj me shejkh Muhamed bin Abdil-Uehabin. Ndërsa në vendet e tjera, ata ende lëvizin në errësirë. Zëri i monoteistëve atje është i dobët dhe i rrallë; disa që e dëgjojnë udhëzohen ndërsa të tjerët devijojnë për shkak të këtyre meshajikhëve.
Ti me siguri e di debatin mes Abdullah El-Kasimit, njeriu të cilin Allahu e devijoi me kalimin e kohës, dhe mësuesve të Ez’herit, sidomos Jusuf Ed-Dixhauit. Dijetarë të mëdhenj të Ez’herit kanë devijuar nga teuhidi. A mendon ti se shumicës së egjiptianëve u ka arritur teuhidi? Unë nuk besoj. E njëjta gjë vlen edhe për Sirinë përveç një pakice shumë të vogël.
Prandaj them se këta njerëz kanë rënë në mosbesim dogmatik. Por kjo nuk do të thotë se çdo individ që e bën këtë është kafir dhe renegat. Pse? Sepse tekfiri nuk bëhet pa u hequr justifikimi dhe ky justifikim ende nuk është hequr prej tyre.
Allahu -te ala- thotë:
“Kështu ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta.” En-Neml, 27:14
Ti e di se besimi do të thotë të shohësh të vërtetën dhe pastaj ta besosh atë. Nëse në shumë vende Islame gjenden meshajikh që pranojnë adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut dhe vetë janë të devijuar e injorantë për çështjen e teuhidit, atëherë nuk lejohet të bëhet tekfir ndaj muslimanëve atje edhe pse ata praktikojnë idhujtarinë më të madhe, e jo idhujtarinë e vogël. Arsyeja është se atyre si popull ende nuk u është hequr justifikimi. Por kur një njeri mëson teuhidin dhe megjithatë, me vetëdije e refuzon atë duke qëndruar kokëfortë në besimet e stërgjyshërve të tij, atëherë mbi të vlen ky ajet.
“Kështu ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta.” En-Neml, 27:14