“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

A justifikohet njeriu për injorancën e tij? Albani (4)

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Silsilat-ul-Huda Uen-Nur (1004)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Një person dëshmon se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Megjithatë, ai ther kurban për dikë tjetër përveç Allahut, i kërkon ndihmë të tjerëve përveç Allahut, betohet në emër të të tjerëve përveç Allahut dhe kryen veprime të ngjashme. Nuk ka dyshim se këto veprime janë adhurimi i idhujve dhe idhujtari. Por së pari, dijetarët e devijuar i kanë bërë njerëzit me kohën që të besojnë se këto gjëra nuk e anulojnë Islamin.  E dyta, shumica e atyre që bien në këto praktika nuk u ka arritur e vërteta në mënyrë që ne t’i përjashtojmë ata nga Islami. Allahu do të kujdeset për ta në jetën tjetër. Personit të tillë nuk i ka arritur e vërteta. Nëse ai falet me ne, agjëron me ne dhe kështu me rradhë, si mund ta nxjerrim nga feja pa i sqaruar qartë provat? Përkundrazi, a nuk jemi të detyruar që të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që t’ia mësojmë akiden e saktë dhe t’ia sqarojmë realitetin. Vetëm atëherë ne mund të paktën të sigurohemi se personi është këmbëngulës [ndërpritet audio] dhe me të vërtetë është kafir. Prandaj ai përfshihet nga fjalët e Allahut -te ala-:

”Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!” En-Neml, 27:14

Por e vërteta është se shumica e muslimanëve sot, qofshin njerëz të thjeshtë apo edhe ata që quhen dijetarë, nuk kanë asnjë njohuri të vërtetë rreth teuhidit dhe argumenteve të tij. Për këtë arsye unë i shoh ata si të sëmurë, të cilët duhen trajtuar me kujdes, me butësi dhe me mëshirë, jo me ashpërsi e dhunë sepse ti beson se ata janë paganë dhe renegat ndërsa ata e thonë shehadetin.

Kjo është një çështje shumë e rrezikshme, unë shpresoj që ta studioni me vëmendje këtë shënim. Ajo ka ndikuar thellë në shumicën e botës Islame. Shumica e muslimanëve nuk e kanë as nuhatur erën e vërtetë të teuhidit sepse nuk kanë pasur dijetarë që ua mësojnë këtë themel të fesë. Dhe edhe nëse ekzistojnë, ata janë si një zë i dobët që humbet në mes të zhurmës.

Pikërisht për këtë arsye ju duhet të bëni dallimin mes gjendjes suaj në Arabinë Saudite dhe gjendjes së muslimanëve në vende të tjera. Ju duhet të shihni dallimin mes njerëzve të rëndomtë tuaj dhe njerëzve tanë të rëndomtë, e madje sa e madhe është diferenca midis dijetarëve tuaj dhe asaj që quhen dijetarë në pjesën tjetër të botës Islame. Është një dallim shumë i madh. Prandaj nuk është e lejuar që të gjykohen të gjithë njerëzit njësoj sepse niveli i dijes ndryshon.

Shpërndaje: