Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Allahu i ka mbrojtur engjëjt nga mëkatet

Imam Muhamed bin Abdil-Vehab el-Akil 

Burimi: El-Melaiketul -Mukarrabun, fq. 101-102

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Allahu (Subhanehu ue Te’ala) ka krijuar engjëjt dhe u ka besuar atyre detyra madhështore në të dy botët si në këtë botë si në ahiret. Ai i ka ngarkuar ato me detyra të shumta dhe lloje adhurimesh madhështore që i përshtaten krijimtarisë dhe fuqisë e mundësisë së tyre.

Që të ketë rend dhe rregull në qiell dhe në tokë, Allahu i ka mbrojtur engjëjt nga mëkatet. Urdhëresat që ato marrin janë sikurse urdhëresat universale, të cilat nuk mund të kundërshtohen nga to. Ndërsa kjo nuk vlen për dispozitat me të cilat janë ngarkuar njerëzit dhe xhinët. Urdhëresat ndaj krijesës njeri dhe xhin në lidhje me adhurimet, janë urdhëresa të ligjësuara. Ai që i bindet, do të shpërblehet, ndërsa ai që nuk bindet, do të ndëshkohet nëse Allahu dëshiron. Tekstet e Sheriatit kanë dëshmuar se engjëjt janë të mbrojtur nga mëkatet. Prej tyre janë fjalët e Tij (Te’ala):

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَائِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” 1

Ibn Kethiri Allahu e mëshiroftë! ka thënë:“Engjëjt janë robër fisnik të Allahut. Ato janë tek Ai në qiell. Engjëjt i binden Allahut tërësisht në çdo gjë, në fjalë dhe në vepra. Nuk bëjnë asgjë para se Ai t’i urdhëroj e as nuk e kundërshtojnë Atë në asnjë prej urdhrave të Tij.” 2

Nga tekstet është e qartë se Allahu (‘Azze ue Xhel) i ka ngarkuar engjëjt me adhurime dhe detyra madhështore, dhe se Ai i ka mbrojtur ata prej mosbindjes ndaj Tij. Kjo është – dhe Allahu e di më mirë – kuptimi i fjalëve të Tij (Te’ala):

عِبَادٌ مُّكْرَمُونَ

“Ata (engjëjt) janë robër të nderuar.” 3

Es-Sujuti përmend se el-Kadii ‘Ijad ka thënë se, “dijetarët kanë konsensus se të gjithë engjëjt janë të mbrojtur nga mëkatet dhe faktorët që mund të ulin pozitën e tyre të lartë që u ka dhënë Allahu”. 4


1 Et-Tahrim 66:6

2 Tafsir el-Kur’an el-´Adhim (3/176).

3 El-Enbija’ 21:26

4 el-Haba’ik, faqe. 252-253.

Shpërndaje: