Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Komenti i akides Hamauije, kaseta nr 11
www.perlatmuslimane.com
Argumentet shqisore (perceptuese) të cilat tregojnë ekzistencën e Allahut, fuqinë e Tij, diturinë e Tij, urtësinë e Tij, janë të njohura pasi ne kemi dëgjuar se ka patur prej njerëzve të brezave të mëparshëm dhe prej atyre që janë të pranishëm që kur dikush prej tyre i është lutur Allahut, Ai i është përgjigjur atij, a nuk është kështu? Dhe Nuhu, fillojmë me të dërguarin e parë:
وَنُوحًا إِذْ نَادَىٰ مِنْ قَبْلُ فَاسْتَجَبْنَا لَهُ
“(Përkujto) Edhe Nuhun kur më parë iu lut (Zotit) dhe Ne iu përgjigjëm lutjes së tij.” (El-Enbija-76)
وأيوب إذ نادى ربه أني مسني الضر وأنت أرحم الراحمين فاستجبنا له
“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të tij me lutje: “Më ka kapur belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!” (El-Enbija-83)
Dhe Muhammedi (alejhi salatu ue selam) i është lutur Allahut dhe Ai i është përgjigjur atij. Iu lut Allahut kundër Kurejshëve duke thënë:
“O Allah jepu atyre vite (fatkeqësie) sikurse vitet e Jusufit.’’
Dhe Allahu iu përgjigj atij, e luti Allahun që t’i sprovonte ata me sëmundje dhe Allahu iu përgjigj atij, dhe lutje të tjera të ngjashme të cilat nuk mund të numërohen. Ky është një argument shqisor i njohur. A kemi këtu ndonjë argument shqisor të prekshëm? Pyete veten tënde, a i je lutur Allahut ndonjë ditë dhe Ai të është përgjigjur? Po, po, elhamduliLah, shumë herë, shumë, sa herë që njeriu i lutet Zotit të tij vetëm se Ai i përgjigjet atij, gjë që e shohim me sytë tanë. Atëherë a është ky një argument shqisor për ekzistencën e Allahut? Hë? (Ky është) argument shqisor për ekzistencën e Allahut, diturinë e Tij, fuqinë e Tij, mëshirën e Tij, dëgjimin e Tij, shikimin e Tij, e të tjera të ngjashme me këto, të cilat tregojnë se Ai i përgjigjet (lutjes) dhe ky është argument gjithëpërfshirës.