Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 208-209
Përktheu: Valdet Gashi
Dije se arsyet pas shpërblimeve të shumta të veprave mund të jenë disa:
Një prej tyre është vlera e vendit ku kryhet vepra. Shembuj të kësaj janë Haremi. Prandaj namazi shpërblehet shumë fish në dy xhamitë e Mekës dhe Medinës (haremet). Është konfirmuar në hadithin autentik se profeti ﷺ ka thënë:
“Një namaz në xhaminë time është më i mirë se një mijë namaze në të gjitha xhamitë tjera përveç xhamisë së shenjtë (në Mekë).”
Një tjetër është vlera e kohës sikurse Ramazani dhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes. Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë se profeti ﷺ ka thënë:
“Umre në Ramazan është sa një haxh.”
Ose tha:
“… sa një haxh me mua.”
Ebu Bekr bin Ebi Merjem transmetoi nga mësuesit e tij, të cilët thanë:
“Kur Ramazani të ketë filluar, ju duhet të jeni të zellshëm në dhënien e sadakasë. Sadakaja në Ramazan është sikurse sadaka në rrugën e Allahut. Bërja tesbih në Ramazan është një mijë herë më mirë se në muajt e tjerë.”
En-Nakha’i ka thënë:
“Agjërimi i një dite të Ramazanit është më i mirë se agjërimi njëmijë ditëve të tjera. Bërja tesbih në Ramazan është një mijë herë më mirë se në kohë tjetër. Një rekat në Ramazan është një mijë herë më mirë se ndryshe.”
Nëse agjërimi shpërblehet më mirë se veprat e tjera, atëherë agjërimi i Ramazanit shpërblehet më shumë se zakonisht për shkak të vlerës së muajit dhe se Allahu i urdhëroi robërit e Tij që të agjërojnë dhe se agjërimi është një prej shtyllave të Islamit mbi të cilat feja është e ndërtuar.
Një arsye tjetër prapa shpërblimit të shumtë është vlera e vepruesit dhe afërsisë së tij me Allahun dhe frikës së fortë ndaj Allahut. Shembulli i kësaj është se ky umet shpërblehet dy fish më shumë se umetet e mëparshme.