“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

A justifikohet njeriu për injorancën e tij? Ibnu Tejmijeh (1)

Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Mukhtesarul-Fetaua El-Misrijjeh (2/417-418)
Shkurtoi: Imam Badrud-Din Muhamed bin Ali El-Hanbeli El-Ba’ilij (v. 777)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Nëse do të thuhej se kaderitë prej mutezilive dhe të tjerët, të cilët nuk e pranojnë se “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje”, se “çdo gjë që Ai dëshiron bëhet” dhe se “ajo që Ai nuk dëshiron, nuk ndodh” – nuk përjashtohen nga teuhidi për shkak se mohojnë kaderin, atëherë duhet të dihet se kjo është një çështje ku dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme. Madje edhe tek Malikitë, Shafiitë dhe Hanbelitë ka divergjenca rreth kësaj. Ka gjithashtu shumë mendime edhe në lidhje me tekfirin e atij që mohon apo pranon disa nga cilësitë e Allahut.

Pas analizimit të mirëfilltë, përfundimi është se nuk bëhet tekfir mbi një person besimi i të cilit është i njohur, vetëm për shkak të një gjëje që në parim e nxjerr njeriun nga feja, derisa atij t’i ketë arritur argumenti i qartë. E njëjta gjë vlen edhe nëse fjala e tij është kufër në vetvete – personi nuk gjykohet si kafir derisa t’i arrijë prova e qartë nga i dërguari ﷺ.

Madje ka pasur nga selefët të cilët mohuan disa germa të Kuranit sepse ata nuk e dinin se ato i përkisnin Kuranit! Megjithëkëtë nuk u bë tekfir mbi ta.

Kjo bazohet në komentet e dijetarëve të hadithit lidhur me tregimin për burrin që u tha familjarëve:

“Pasi të vdes, digjeni trupin tim në zjarr.”1

Ky njeri ishte injorant dhe nuk e dinte se Allahu ka fuqinë ta ringjallë edhe pas djegies së trupit të tij. Pra jo të gjithë dalin nga feja vetëm pse bëjnë apo thonë diçka që në vetvete është kufër sepse injoranca dhe mosnjohja e asaj që ka transmetuar profeti ﷺ është një pengesë.

Prandaj selefët kanë thënë: “Kush thotë se Kurani është i krijuar, është kafir. Kush thotë se Allahu nuk do të shihet në botën tjetër, është kafir.”

Megjithatë, ata nuk bënin tekfir mbi individin që e thoshte këtë sepse gjykimi i tekfirit mbi një person të caktuar varet nga plotësimi i kushteve dhe largimi i pengesave. Nuk bëhet tekfir mbi askënd përderisa nuk kemi dije mbi hipokrizinë e tij.

Hipokrizia e tij shfaqet vetëm pasi t’i kenë ardhur argumentet autentike nga profeti ﷺ, të cilat disdentët i refuzojnë, andaj dalin nga feja.


1 Një burrë kishte jetuar para jush, i cili nuk kishte bërë asnjë vepër të mirë. Kur iu afrua vdekja, i thirri djemtë e tij dhe iu tha: “Çfarë babai kam qenë për ju?”

Ata iu përgjigjen: “Baba shumë i mirë.”

Ai iu tha: “Unë kam qenë mëkatar ndaj Zotit tim, e nëse Allahu ka mundësi të më dënojë, le të më dënojë me dënimin më të dhembshëm. Kur të vdes unë, digjeni trupin tim, pastaj gjysmën time hidheni në det dhe shpërndajini në erë.”

Kur ai vdiq, ata bënë siç kishte porositur. Allahu (e ringjalli atë) dhe i tha: “Çfarë të shtyu të bësh atë që bëre?”

Ai tha: “Frika ndaj Teje, o Zoti im.”

Allahu i tha: “Të kam falur ty.”

Transmeton Bukhari (6480) dhe Muslimi (2756).

Shpërndaje: