Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Askujt nuk mund t’ia konfirmojmë Xhenetin dhe as Xhehenemin

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: Sherh ‘Akidetil-Imam Muhamed bin Abdil-Vehhab, faqe 116

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

“Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati” nuk ia konfirmojnë Xhenetin ndonjë individi edhe në qoftë se ai është i devotshëm. As nuk ia konfirmojnë Xhehenemin ndonjë individi edhe nëse ai është kafir (jobesimtarë). Nuk është e lejueshme të thuhet se një person i caktuar do të hyjë në Xhenet apo në Xhehenem. Këtë gjë mund ta bëj vetëm dikush që Allahu i ka mësuar atij diçka nga fshehtësitë (gajbi) e Tij, dhe ai është i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem). Por edhe në këtë rast, Allahu i ka dhënë atij (salAllahu alejhi ue selem) vetëm një pjesë të dijes nga gajbi e jo tërë gajbin. Prandaj, i Dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ia ka konfirmuar Xhenetin disa njerëzve. Dhe, edhe ne e bëjmë të njëjtën gjë. Shembull i këtyre njerëzve janë dhjetë sahabët të cilëve Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ia konfirmoi Xhenetin: Ebu Bekri, Umer bin el-Hatab, Uthman bin Affani, Ali bin Ebi Talibi, Talha, Ez-Zubejr, Sa’di, Se’id bin Zejd, Abdurr-Rrahman bin ‘Aufi dhe Ebu Ubejde Emin bin el-Xharrah.

Pos kësaj, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka treguar se Thabit bin Kajs do të hyjë në Xhenet. Ne ia konfirmojmë Xhenetin këtyre individëve pasi që Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e bëri këtë. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) nuk flet nga vetja e tij edhe në qoftë se bëhet fjalë për çështjet e fshehura (gajb). Allahu është Ai i Cili i ka dhënë dije mbi këtë të fshehtë. Thotë Allahu (Te’ala):

عَالِمُ الْغَيْبِ فَلَا يُظْهِرُ عَلَى غَيْبِهِ أَحَدًا إِلَّا مَنِ ارْتَضَى مِن رَّسُولٍ

“Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur.” 1

E njëjta gjë vlen edhe për jobesimtarin ose mëkatarin. Ne nuk themi se ai do të hyjë në Xhehenem, sepse ne nuk e di se në çfarë gjendje ai do të vdes.


1 El-Xhin 72:26-27

Shpërndaje: