“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Askush nuk mund t’i ikë kaderit të Allahut

Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi (v. 620)

Burimi: ”äLum’atul-I’tikad, fq. 256

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Njëra prej cilësive të Allahut (te ala) është se Ai bën pikërisht atë që Ai dëshiron. Asgjë nuk ndodh pa vullnetin e Tij dhe asgjë nuk mund t’i ikë vullnetit të Tij. Nuk ka asgjë në univers që mund t’i ikë paracaktimit të Tij dhe nuk mund të ndodhë pa urdhër të Tij. Pra, askush nuk mund t’i ikë Kaderit të përcaktuar e as nuk mund të tejkalohet ajo që është shkruar në Leuhi Mahfudh (Librin ku janë të ruajtura të gjitha ato që do të ndodhin). Çdo gjë që bëjnë krijesat e Allahut ndodh vetëm me vullnetin e Tij. Nëse Allahu do të dëshironte që t’i mbrojë krijesat (xhinët dhe njerëzit) e Tij e t’i bënte që ata të mos kishin vullnetin për të zgjedhur në gjëra, asnjë nga ta nuk do ta kishte kundërshtuar Allahun në veprimet e veta. Nëse Ai do të kishte dëshiruar që ata t’i binden Atij, ata do t’iu kishin bindur Atij dhe nuk do të kishin mundësi për të zgjedhur që ta kundërshtojnë. Ai i krijoi krijesat dhe veprimet e tyre, dhe Ai vendosi se sa ata do të jetojnë dhe kur do të vdesin. Ai udhëzon kë të dojë me mëshirën e Tij dhe e devijon kë të dojë nga urtësia (drejtësia) e Tij. Allahu (te ala) ka thënë:

إِنَّا كُلَّ شَيْءٍ خَلَقْنَاهُ بِقَدَرٍ

”Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me paracaktim (kader).” 1

Dhe thotë Allahu:

وَخَلَقَ كُلَّ شَيْءٍ فَقَدَّرَهُ تَقْدِيرًا

”(Allahu është Ai) i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” 2

Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë e shkruar në Leuhi Mahfudh para se të ndodhi ajo gjë, e kjo për Allahun është shumë e lehtë. Ashtu siç edhe e thotë Allahu:

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي أَنفُسِكُمْ إِلَّا فِي كِتَابٍ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَا إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ

”S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” El-Hadid, 57:22

Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, i’a zgjeron zemrën për (të pranuar) islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij i’a bën shumë të ngushtë dhe të vështirë për t’u penduar, ashtu siç është e vështirë ngjitja në qiell. Thotë Allahu:

فَمَن يُرِدِ اللّهُ أَن يَهْدِيَهُ يَشْرَحْ صَدْرَهُ لِلإِسْلاَمِ وَمَن يُرِدْ أَن يُضِلَّهُ يَجْعَلْ صَدْرَهُ ضَيِّقًا حَرَجًا كَأَنَّمَا يَصَّعَّدُ فِي السَّمَاء كَذَلِكَ يَجْعَلُ اللّهُ الرِّجْسَ عَلَى الَّذِينَ لاَ يُؤْمِنُونَ

”Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë.” 4

Transmeton Ibn Umeri (radijAllahu anhuma) se Xhibrili (alejhis-selam) e pyeti profetin : ”Çka është imani?” Kurse ai u përgjigj:

الإيمان أن تؤمن بالله وملائكته وكتبه ورسله الإيمان أن تؤمن بالله وملائكته وكتبه ورسله واليوم الآخر وتؤمن بالقدر خيره وشره

”Imani është të besosh në:

Allahun. Engjëjt e Tij. Librat e Tij. Të dërguarit e Tij. Ditën e ringjalljes. El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.”

Pas kësaj, Xhibrili i tha: ”Ke thënë të vërtetën!” 5

Transmeton Imam Muslimi.

Një nga lutjet e profetit është lutja të cilin ai ia mësoi Hasanit, birit të Aliut (radijAllahu anhuma) në namazin e Vitrit:

و احفظني شر ما قضيت

”Dhe më mbro nga e keqja që ke caktuar.” 6

Mirëpo ne nuk përdorim caktimet dhe rregullin që Allahu e ka bërë si argument dhe justifikim për t’i lënë kryerjen e urdhrave të Tij dhe për t’iu shmangur ndalesave që Ai i ka përcaktuar. Në vend të kësaj, ne jemi të detyruar të besojmë dhe ta dimë se Allahu është Ai i Cili ka argumentuar kundër nesh, duke shpallur libra dhe duke dërguar të dërguar. Allahu (te ala) ka thënë:

رُّسُلاً مُّبَشِّرِينَ وَمُنذِرِينَ لِئَلاَّ يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ

Të dërguar që ishin përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve.” 7

Ne e dimë se çdo gjë që Allahu (subhanehu ue te ala) e ka urdhëruar dhe ndaluar është e mundur për tu kryer dhe për t’iu shmangur. Në mënyrë të ngjashme, ne e dimë se Ai nuk e imponon (detyron) dikë në mëkat apo që të braktis ndonjë lloj bindjeje. Allahu (te ala) ka thënë:

لاَ يُكَلِّفُ اللّهُ نَفْسًا إِلاَّ وُسْعَهَا

”Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij.” 8

Dhe thotë Allahu:

فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ

”Andaj, keni frikë Allahun sa të keni mundësi.” 9

Dhe thotë Allahu:

الْيَوْمَ تُجْزَى كُلُّ نَفْسٍ بِمَا كَسَبَتْ لَا ظُلْمَ الْيَوْمَ

”Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi!” 10

Kështu ai vuri në dukje se që të dyja veprimet dhe shpërblimi/rezultati i takojnë robit; dhe ai shpërblehet për veprat e tij të mira me shpërblim dhe për veprimet e tij të këqija me ndëshkim – dhe kjo ndodhë me emërimin dhe paracaktimin e Tij.


1 El-Kamer 54:49

2 El-Furkan 25:2

3 El-Hadid 57:22

4 En-Aam 6:125

5 Buhariu (50) dhe (4777) dhe Muslimi (8).

6 Ahmedi (1723), Ebu Davudi (1425) dhe (1426), Tirmidhiu (464), Nasaiu (3/248) dhe Ibn Maxheh (1178). Autentik nga Shejkh Ahmed Shakir Allahu e mëshiroftë në komentin e tij në ”Sunnen en-Nasai.”

7 An-Nisa’ 4:165

8 El-Bekare 2:286

9 Et-Tagabun 64:16

10 Gafir 40:17

Shpërndaje: